Aktuale

Goditet banda e zhvatjes në Athinë, në krye dyshohet një shqiptar që drejtonte s*lmet me gr*nata nga burgu

Një organizatë kriminale e dyshuar për zhvatje, kërcënime dhe sulme me granata në Athinë është goditur nga autoritetet greke.

Në krye të grupit dyshohet se qëndronte një 49-vjeçar shqiptar, i dënuar për krime të rënda, i cili, pavarësisht se ndodhej në burgun e Trikalës, vijonte të drejtonte aktivitetin kriminal nga qelia.

Media greke Protothema ka publikuar pamje filmike nga disa prej sulmeve të kryera nga anëtarët e organizatës, ku shihen persona që sulmojnë biznese në qendër të Athinës dhe përdorin granata për të frikësuar pronarët dhe personat e pranishëm.

Një nga pamjet tregon momentin kur dy persona dalin nga një dyqan dhe hedhin një granatë në drejtim të ambientit ku ndodheshin klientë. Më pas, ata largohen me shpejtësi. Fatmirësisht, granata nuk shpërtheu.

Sipas hetimeve, 49-vjeçari kishte një rol drejtues në organizatën kriminale dhe ruante kontrollin mbi aktivitetin e saj edhe gjatë qëndrimit në burg.

Ai dyshohet se përcaktonte objektivat e sulmeve, analizonte informacionet e mbledhura nga bashkëpunëtorët, jepte udhëzime dhe mbikëqyrte zbatimin e veprimeve kriminale.

Në organizatë dyshohet se ishin përfshirë edhe disa të burgosur të tjerë, mes tyre një shtetas rom në burgun e Malandrinos dhe dy shtetas egjiptianë në burgjet e Avlonës dhe Malandrinos.

Të Ngjashme