Aktuale

Goditet organizata shqiptare e drogës në Itali, 28 të arrestuar

Një operacion i gjerë kundër trafikut të lëndëve narkotike ka çuar në goditjen e një organizate kriminale me bazë në Itali, ku pjesa më e madhe e të dyshuarve janë shtetas shqiptarë.

Aksioni, i koduar “Daku”, ka nisur në orët e para të mëngjesit të së martës, më 14 prill, dhe vijon ende.

Sipas mediave italiane, organizata merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në disa provinca të vendit. Emri i operacionit “Daku” lidhet me nofkën që përdornin mes tyre shumë prej anëtarëve të dyshuar të grupit.

Në kuadër të këtij aksioni janë ekzekutuar 28 masa sigurie, 10 persona janë dërguar në burg, 8 janë vendosur në arrest shtëpie, ndërsa 10 të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë në banesat e tyre.

Operacioni është shtrirë në disa provinca italiane, përfshirë Bolzanon, Bellunon, Trenton, Venecian, Veronën dhe Vicenzën, si dhe në zona të tjera si Brescia, Monza Brianza, Pordenone, Sondrio dhe provincën Barletta-Andria-Trani.

Autoritetet italiane bëjnë me dije se hetimet janë ende në zhvillim dhe pritet që në vijim të dalin detaje të reja mbi aktivitetin dhe shtrirjen e kësaj organizate kriminale.

Të Ngjashme