Analisti Lirim Gashi ka reaguar ashpër ndaj deklaratave dhe qëndrimeve të Richard Grenellit për Kosovën, duke e akuzuar atë se nuk e njeh sa duhet historinë e shtypjes dhe vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës.
Gashi ka kritikuar edhe mbështetjen politike që Grenelli i ka dhënë Avdullah Hotit dhe grupit të tij brenda LDK-së, duke ngritur pikëpyetje mbi atë se çfarë përfiton Kosova nga kjo afërsi politike, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Richard Grenelli është amerikan, por kjo, siç duket, nuk e obligon domosdoshmërisht njeriun ta njohë historinë e Kosovës.
Ai mund të jetë ekspert i diplomacisë, i deklaratave të bukura dhe i buzëqeshjeve me kostum. Por kur vjen puna te historia e shtypjes, shkeljes së të drejtave të njeriut, vrasjeve masive, përdhunimeve, asimilimit, dëbimeve dhe plagëve fizike e shpirtërore që shqiptarët e Kosovës i kanë përjetuar për dekada nga qeveritë serbe, duket se në kujtesën e tij ka mbetur një boshllëk.
Dhe jo një boshllëk dosido.
Një boshllëk aq i madh në kokën e tij, saqë aty mund të parkohet edhe një kamion i tërë me dokumente historike — madje me rimorkio.
Fatkeqësisht, duket se fati i shqiptarëve dhe i shtetit të tyre të ri nuk e shqetëson shumë. Dhe unë do të vija bast se ai nuk e kupton, e aq më pak e respekton, madhështinë e kontributit të Bill Clintonit dhe George Ë. Bushit në mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës nga shfarosja dhe në mbështetjen për krijimin e shtetit të tyre.
Por ndoshta kjo është vetëm një çështje këndvështrimi.
Në fund të fundit, për dikë që e sheh historinë nga larg, një popull i dëbuar mund të duket si një statistikë, një masakër si një shifër, një refugjat si një problem administrativ dhe një shtet i ri si një dosje që mund të riorganizohet sipas interesit të ditës.
As përkrahja që Grenelli ia jep Avdullah Hotit dhe grupit të tij brenda LDK-së nuk është ndonjë arsye për krenari.
Përkundrazi.
Kur një politikan kosovar merr mbështetje politike nga një njeri që duket se ka harruar se si u mbrojt Kosova nga shfarosja, kjo nuk është medalje historike që duhet varur në mur.
Është më shumë një arsye për t’i bërë vetes një pyetje të thjeshtë:
Çfarë fiton Kosova nga kjo miqësi?
Grenelli, ndërkaq, duket se ka zbuluar një formulë krejt të re për zgjidhjen e problemeve të Ballkanit:
Historia është e ndërlikuar.
Drejtësia kërkon kohë.
Por portofoli është jashtëzakonisht praktik.
Në Prishtinë kjo mund të quhet diplomaci.
Në Beograd mund të quhet sukses.
Në ndonjë zyrë tjetër mund të quhet thjesht biznes.
Dhe këtu fillon edhe një nga ato dyshimet që në Ballkan mbijnë më shpejt se kërpudhat pas shiut: se Grenelli paguhet nga Vuçiqi për ta dëmtuar Kosovën.
Nëse kjo është vetëm një akuzë politike apo nëse ekzistojnë prova konkrete, këtë duhet ta tregojnë faktet.
Por sjellja e tij nganjëherë është aq e çuditshme, saqë njeriu fillon të dyshojë nëse portofoli i Vuçiqit nuk ka gjetur ndonjë mënyrë për të folur anglisht.
Dhe nëse një ditë del se nuk ka portofol, atëherë do të na duhet të pranojmë një mundësi edhe më të hidhur:
ndoshta portofoli është vetëm metaforë.
Sipas kësaj logjike, të gjitha problemet ndërmjet Kosovës dhe qeverive serbe klerofashiste mund të zgjidhen me një metodë jashtëzakonisht moderne:
Vuçiqi flet, Grenelli dëgjon — dhe dollari e kryen pjesën tjetër.
Në Ballkan kemi kaluar shekuj duke kërkuar drejtësi.
Kemi kërkuar dokumente, dëshmi, varreza, përgjegjësi, gjykata dhe të vërtetën.
Ndoshta kemi qenë paksa naivë.
Duhej të kishim kërkuar portofolin.
