Lajme

Gruda: Nuk ka pasur konsultim publik për Projektligjin për Byronë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda ka shprehur vërejtjet për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gjatë leximit të parë të këtij projektligji, ai tha se gjuha në të cilën është shkruar është më shumë publicistikë se sa juridike.

Po ashtu, ai tha se nuk ka pasur konsultim publik para votimit në qeveri.

Gruda: Nuk ka pasur konsultim publik për Projektligjin për Byronë

“Vërejtja e parë jonë e parë si parti është që për këtë ligj nuk ka pasur konsultim publik. Ligji është rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese për procedurën e miratimit këtu, dhe do të duhej të vihej në konsultim publik para miratimit në qeveri siç e kërkon rregullorja e punës së qeverisë. Kjo nuk ka ndodhur, është keq sepse një ligj kaq i ndjeshëm do të duhej t’i nënshtrohej një debati jo vetëm nga njerëzit e zakonshëm por nga profesionistët veçanërisht dhe do të duhej t’i jepej shans çdo njeriu në Kosovë që me dhënë mendim për këtë ligj”, deklaroi ai.

Ai tha se në mes dy leximeve duhet të ketë konsultim publik dhe të adresohen të gjitha vërejtjet. Gjatë votimit të sotëm, ai tha se do të abstenojë që siç tha ai “për të dhënë një shans për përmirësim të ligjit”

Gruda: Cdo gjë duhet ta caktoni me ligj, prek të drejtat dhe liritë e njeriut

“Gjykata Kushtetuese ka bërë vërejtje për ligjin, ka thënë nuk mund të leni çështje për t’i rregulluar me akte nënligjore. Çdo gjë duhet ta caktoni me ligj, meqë ky ligj prek thellësisht drejtat dhe liritë e njeriut, ato të drejta dhe liri të njeriut sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut por edhe standardeve të përcaktuara në Kushtetutë nuk mund të rregullohen me akte nënligjore. Prapë është lënë që disa akte nënligjore t’i nxjerr drejtori që prapë mendoj se është gabim, ajo dispozitë duhet të fshihet dhe duhet që gjitha garancionet procedurale dhe materiale sa i takon lirive dhe të drejtave të njeriut të përshkruhen saktësisht në këtë ligj, siç ka kërkuar Gjykata Kushtetuese”, tha ai.

Ai pati vërejtje edhe se si emërtohet ky ligj, duke thënë tutje edhe se gjuha është më shumë publicistike se sa juridike.

“Ligji të nderuar deputetë e ka emrin ‘Ligji për Verifikimin dhe Konfirmimin e Pasurisë së Pajustifikueshme’, titulli nuk i përshtatet përmbajtjes së ligjit. Byroja nuk konfiskon pasuri, prandaj s’mund të jetë fjala konfiskon. Dhe arsyeja tjetër pse nuk mund të jetë ky ligj, nëse e marrim me lexu ligjin, gjysma e neve flasin për Byronë, gjysma tjetër se çka ndodhë kur çështja mbërrin në gjykatë. Që do të thotë që titulli i ligjit nuk e reflekton tërësisht përmbajtjen e ligjit. Duhet me ndërru, të paktën konfiskimi nuk është një çështje që e ka në dorë Byroja. Byroja vetëm bën propozimin në gjykatë, gjykata e vendos për konfiskimin. Mënyra se si është shkruajtur teksti në shumë raste nuk është gjuhë juridike, është publicistikë, nuk është gjuhë juridike”, ka deklaruar ai.

Të Ngjashme