Lajme

Jakup Krasniqi refuzon kontrollin e mjekëve në Hagë, vajza Gresa: Si t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre që e tradhtuan?

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka refuzuar kontrollin nga mjekët në qendrën e paraburgimit në Hagë. Këtë e ka bërë të ditur vajza e tij, Gresë Krasniqi, përmes një statusi në Facebook, një muaj pasi babai i saj u dënua me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara.

Sipas saj, Krasniqi ia ka treguar këtë gjatë një telefonate.

“Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre”, i ka thënë Krasniqi së bijës.

Me “gjashtë vjet” Krasniqi i referohet kohës që nga arrestimi i tij. Ai u mor në paraburgim më 4 nëntor 2020, pas një operacioni rreth 10-orësh në shtëpinë e tij në Prishtinë, dhe që atëherë ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Gresë Krasniqi shkruan se lajmi e ka shqetësuar, pasi babai i saj është në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë. Megjithatë, ajo thotë se nuk mund ta detyrojë të ndryshojë qëndrim.

“Si njeri që i kam kaluar 30 vitet e jetës sime duke e njohur dashurinë dhe lirinë, a mund ta detyroj një njeri tjetër, i cili e ka kaluar gjithë jetën e tij me sakrifica dhe që, me këtë dënim të fundit, pritet të kalojë mbi 35 vjet në burgje, t’i përshtatet një sistemi që i ka sjellë vetëm vuajtje dhe padrejtësi?”, shkruan ajo.

Në këtë llogari, Gresë Krasniqi përfshin edhe vitet që i ati i kaloi si i burgosur politik në ish-Jugosllavi. Jakup Krasniqi u arrestua dhe më 4 prill 1981 u dënua me 14 vite burg nga regjimi jugosllav, ndërsa në rigjykim dënimi iu ngrit në 15 vite, pasi kishte deklaruar se nuk ishte jugosllav, por shqiptar. Ai mbajti 10 vjet, 3 muaj e 19 ditë burg dhe u lirua më 23 korrik 1991. Me dënimin prej 25 vitesh të Hagës, koha e përgjithshme e tij në burgje i kalon 35 vitet.

“Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte?”, shton Krasniqi.

Ajo pohon se u ndje e pafuqishme përballë asaj që e quan “fuqi ndërkombëtare kaq të padrejtë”. Gjithçka që arriti t’i thoshte babait në telefon ishte: “Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm.”

“Dënimi i Babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi!”, përfundon Gresë Krasniqi.

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë shpalli aktgjykimin më 16 shtator ndaj katërshes Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Veseli me 18 dhe Selimi me 13, duke iu llogaritur koha e kaluar në paraburgim. Krasniqi u shpall fajtor për krime lufte, që përfshijnë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Ndërkaq, gjykata i shpalli të katërt të pafajshëm për krime kundër njerëzimit. Mbrojtja e Krasniqit ka njoftuar se do ta apelojë aktgjykimin.

Të Ngjashme