Një grup hakerësh të lidhur me Iranin ka deklaruar se ka ndërhyrë në sistemet e dronëve të FBI-së dhe ka kërcënuar Kupën e Botës në futboll, e cila sapo ka nisur.
“Site Intelligence Group”, organizata që monitoron grupet xhihadiste, ka publikuar një deklaratë të kolektivit Handala, ku pretendohet se hakerët kanë pasur prej muajsh akses në çdo imazh dhe çdo të dhënë të marrë nga dronët FPV të përdorur nga FBI.
“Do të bënit mirë të përforconit sigurinë në Kupën e Botës, sepse disa prej skuadrave të futbollit nuk na pëlqejnë aspak. Mos harroni: dronët FPV janë kudo, nuk dihet kurrë se kur ndonjëri prej tyre mund të bjerë në autobusin e skuadrës suaj”, thuhet në komunikatë.
Para këtij kërcënimi ndaj Botërorit, agjencia iraniane e lajmeve Tasnim kishte publikuar një deklaratë të Handala-s, sipas së cilës grupi kishte hakuar edhe impiantet hidrike në Kaliforni, në përgjigje të sulmeve ndaj infrastrukturës hidrike iraniane.
“Pavarësisht aksesit në këto sisteme, ne u përmbajtëm nga veprimi për të ndërprerë furnizimin me ujë dhe ky ishte vetëm një paralajmërim për Washingtonin”, thuhet në deklaratën e grupit.
