Lajme

Halil Geci: Ideja për ndarjen e Kosovës nuk duhet harruar, atdheu nuk është për pazare politike

Veprimtari Halil Geci ka reaguar përmes një postimi publik, duke folur për idenë e ndarjes së Kosovës, të cilën e përshkruan si “vizatim kufijsh me thikë mbi harta”.

Sipas tij, për shumë qytetarë kjo ide nuk është mbyllur kurrë dhe vazhdon të konsiderohet si një kërcënim serioz për vendin. Geci thekson se Kosova nuk është pronë e askujt për t’u ndarë apo për t’u bërë objekt pazaresh politike.

Ai u bën thirrje qytetarëve të mos e harrojnë historinë, duke nënvizuar se përgjegjësia për vendimet që prekin të ardhmen e vendit nuk shuhet me kalimin e kohës dhe se, sipas tij, “atdheu nuk shitet, por mbrohet”.

Postimi i plotë:

MOS E HARRONI KURRË! DËGJOJENI KËTË REALITET TË DHIMBSHËM PËR IDENË E “THIKAVE MBI HARTA”.

Dëgjojeni këtë realitet të dhimbshëm.

Për shumë qytetarë, ideja e një marrëveshjeje për ndarjen e Kosovës e përshkruar si “vizatim kufijsh me thikë mbi harta”,nuk është mbyllur kurrë. Ata besojnë se kjo ide vazhdon të jetë e pranishme dhe se ka pasur mbështetje edhe nga qarqe të caktuara politike.

Për ata që e shohin kështu, kjo nuk është politikë, por tradhti ndaj atdheut. Kosova nuk është pronë e askujt për t’u ndarë, për t’u copëtuar apo për t’u bërë objekt pazari politik.

Historia nuk duhet të harrohet. Populli ka të drejtë të dijë, të kujtojë dhe të gjykojë. Heshtja përballë çështjeve që prekin të ardhmen e vendit nuk është zgjidhje.

Atdheu nuk shitet, o zuzarë. Atdheu mbrohet!

Mbushuni mend dhe vini dorën në kokë. Nesër historia do të shkruajë për këtë ide dhe për veprimet e secilit. Barra e vendimeve të gabuara nuk do të mbetet vetëm mbi ju, por mund të rëndojë edhe mbi brezat që do të vijnë, mbi fëmijët tuaj.

Historia nuk harron, dhe përgjegjësia para atdheut nuk shuhet me kalimin e kohës.

 

Të Ngjashme