Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka pritur sot drejtoreshën e Zyrës së NDI-së në Kosovë, ambasadoren Nancy Soderberg, me të cilën ka biseduar për zhvillimet politike në vend.
Kryetari Hamza ka vlerësuar rolin e NDI-së për forcimin e demokracisë në Kosovë dhe ka shprehur mirënjohjen e tij për përkrahjen që kjo organizatë i ka dhënë PDK-së ndër vite.
“Jemi falënderues për ndihmën që keni dhënë për ngritjen e kapaciteteve partiake dhe të institucioneve të Kosovës në përgjithësi”, citohet Bedri Hamza në komunikatë.
Në takim u bisedua edhe për zhvillimet e përgjithshme politike, sidomos pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të 7 qershorit.
Kryetari Hamza u shpreh se Kosova ka nevojë për institucione qeverisëse që e kthejnë vëmendjen kah zhvillimi dhe integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.
Ai gjithashtu e njoftoi delegacionin e NDI-së për përgatitjet për zgjedhjet e brendshme në PDK.
Drejtoresha e NDI-së, Nancy Soderberg, u shpreh e gatshme që të vazhdohet ky bashkëpunim edhe në të ardhmen.
