Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar masakrat e 17 prillit 1999 në Poklek të Drenicës dhe Çikatovë të Vjetër, duke i cilësuar ato si ndër krimet më të rënda të kryera ndaj popullit shqiptar gjatë luftës në Kosovë.
Haradinaj, në një postim në Facebook, theksoi se në Poklek, forcat serbe vranë dhe masakruan mbi 54 anëtarë të familjeve Muqolli dhe Elshani, shumica prej tyre gra, pleq dhe fëmijë, ndërsa në të njëjtën ditë u vranë edhe 24 civilë shqiptarë në Çikatovë të Vjetër.
Sipas tij, këto masakra janë dëshmi e qartë e barbarisë së ushtruar nga shteti serb ndaj popullit të Kosovës, ndërsa mungesa e drejtësisë për më shumë se dy dekada mbetet një plagë e hapur.
“Edhe pas më shumë se dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtyre krimeve nuk është ndëshkuar. Kjo është e papranueshme dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm për drejtësi,” thotë Haradinaj.
