Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Këta prokurorë kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo tha se “Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Ardian Bajraktari.

Ardian Bajraktari
Ai tha se ushtruesja e detyrës së presidentes ishte e obliguar ta zbatonte vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke e përmbyllur një proces të vonuar për lirimin nga detyra të prokurorëve.
“Përmes këtyre dekreteve të U.D. Presidentes, ka marrë epilog një proces i cili ka qenë pezull qe një kohë. Duke qenë se Këshilli Prokurorial i Kosovës, veç ka marrë vendim për refuzim të kërkesave për tërheqjeje të dorëheqjeve të paraqitura vite më parë, dhe rrjedhimisht i ka reklamuar lirimin nga detyra e prokurorëve në fjalë, U.D. Presidentja nuk ka pasur tjetër alternativë, pos t’i liroi”, u shpreh ai.
Avokati thekson se prokurorët e liruar nga detyra kanë të drejtë ta kundërshtojnë vendimin në gjykatë, pasi edhe dekretet e Presidentit i nënshtrohen kontrollit gjyqësor për ligjshmërinë e tyre.
“Tani palëve të pakënaqura me vendime përkatësisht dekrete e tilla ju lindë e drejta që nëse pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre, t’i drejtohen gjykatës. Vlen të theksohet se Aktet (dekretet) individuale të autoriteteve publike, edhe kur nxirren nga Presidenti, nuk përjashtohen nga kontrolli gjyqësor. Ligjshmëria e tyre shqyrtohet nga gjykatat e rregullta, këtë standard e ka vendosur Gjykata Kushtetuese në vitin 2021, përmes rastit me numër KI. 214/21”, përfundoi Bajraktari për “Bota sot”.
