Lajme

Haxhiu ngushëllon familjet e dy të rinjve që humbën jetën në Shqipëri

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllimet e saj për familjet e dy të rinjve nga Kosova që humbën jetën në ngjarjen tragjike të ndodhur të martën në bregdetin shqiptar.

Përmes një reagimi publik, Haxhiu tha se e ka pranuar me dhimbje lajmin për tragjedinë, ku dy shtetas të Republikës së Kosovës humbën jetën, ndërsa tre të tjerë mbetën të lënduar dhe po vazhdojnë trajtimin mjekësor.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ngjarjen tragjike të ndodhur sot në bregdetin shqiptar, ku dy të rinj, shtetas të Republikës sonë, humbën jetën, ndërsa tre të tjerë, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, ndodhen ende në gjendje të rënduar”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo bëri të ditur se institucionet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare për të ofruar mbështetjen e nevojshme pas kësaj ngjarjeje të rëndë.

Reagimi i plotë:

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ngjarjen tragjike të ndodhur sot në bregdetin shqiptar, ku dy të rinj, shtetas të Republikës sonë, humbën jetën, ndërsa tre të tjerë, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, ndodhen ende në gjendje të rënduar.

Institucionet tona janë në kontakt të vazhdueshëm dhe të ngushtë me autoritetet e Republikës së Shqipërisë, duke ofruar mbështetjen e nevojshme.

Familjeve të viktimave dhe të afërmve të tyre u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta.

Të lënduarve u uroj forcë, rikuperim dhe shërim sa më të shpejtë.

Të Ngjashme