Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Seminarit të 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se në periudhat kur shqiptarëve u mungonin institucionet e tyre, shqipja mbeti një nga format kryesore të vazhdimësisë sonë kulturore e politike, duke shtuar tutje se me të kanë qenë të lidhura edhe e drejta për arsim, për dije, për shprehje dhe për pjesëmarrje në jetën publike.
Prandaj, sipas saj, historia e shqipes në Kosovë nuk mund të ndahet nga historia politike, e cila, në periudha të ndryshme, ka përcaktuar edhe vendin e saj në jetën publike.
“Shumë prej nesh e kemi jetuar kohën kur shqipja u përjashtua nga shkollat dhe universiteti, nga televizioni e nga shtypi, dhe kur përdorimi i saj në jetën publike kufizohej nga vetë pushteti. Sot pabarazitë mes gjuhëve nuk shfaqen më domosdoshmërisht në këtë formë. Gjuhët që kanë korpuse të mëdha, që kanë traditë të gjatë digjitalizimi dhe mbështetje të fuqishme teknologjike gëzojnë një epërsi që nuk lidhet vetëm me numrin e folësve, por edhe me sasinë e materialit që ekziston në formë digjitale. Ndaj edhe kur gjuhët janë të barabarta para ligjit, ato nuk janë domosdoshmërisht të barabarta në hapësirat ku prodhohet dhe qarkullon dija”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Haxhiu më tej tha se përvoja jonë na bën veçanërisht të ndjeshëm ndaj kësaj, duke shtuar tutje se nuk do të ishte përparim nëse hierarkitë e dikurshme gjuhësore do të zhdukeshin nga ligji, vetëm për t’u rikthyer në teknologji.
“Prej më shumë se pesëdhjetë vjetësh, rreth këtij Seminari janë mbledhur njerëz që kanë punuar për shqipen në universitete e qendra albanologjike brenda dhe jashtë vendit. Këtu janë formuar studentë, janë mbledhur të folme e materiale nga terreni, janë hapur arkiva, janë shkruar studime dhe janë përkthyer vepra që e kanë çuar letërsinë shqipe te lexues të tjerë. Shumë prej këtyre punëve kanë kërkuar vite të tëra dhe kanë vazhduar larg sallave të Seminarit, në universitete, institute, biblioteka e arkiva. Prej tyre shqipja ka fituar studiues, lexues dhe prani akademike edhe jashtë vendeve ku flitet. Me zhvendosjen e një pjese gjithnjë e më të madhe të dijes në mjedisin digjital, kjo punë lidhet edhe me praninë që shqipja do të ketë aty. Akademiku ynë, Idriz Ajeti, e shihte gjuhën edhe si një lidhje që i kapërcen ndarjet gjeografike. “Pavarësisht shtrirjes sonë gjeografike, do të bëjmë bashkë përtej kufijve jo vetëm idenë, por mbi të gjitha njerëzit që flasin një gjuhë”, thoshte ai”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tha se Profesor Ajeti kishte parasysh kufijtë politikë që kishin ndarë folësit e së njëjtës gjuhë, ndërkaq sipas U.D. Presidentes, komunikimi digjital e ka bërë më të ndërlikuar vetë marrëdhënien në mes gjuhës dhe hapësirës.
Sipas saj, repertori gjuhësor i individit nuk përkon më domosdoshmërisht me gjeografinë e vendit ku jeton.
“Këtë marrëdhënie mes gjuhës dhe hapësirës e njihte mirë edhe Robert Elsie, albanologu dhe përkthyesi, i cili rrugën e tij drejt albanologjisë e lidhi herët me këtë Seminar. Përktheu poetë e prozatorë shqiptarë, nga letërsia e vjetër te autorët bashkëkohorë, mblodhi e regjistroi të folme në më shumë se 150 pika, kërkoi nëpër arkiva tekste e dokumente të harruara dhe gjurmoi fotografi të hershme të viseve shqiptare. Një pjesë të madhe të materialit që mblodhi e bëri të qasshëm në internet, duke e nxjerrë nga arkivi dhe duke e vënë në duart e studiuesve e lexuesve kudo që ndodheshin”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Haxhiu, më tej shtoi se ndër temat që keni zgjedhur sivjet, ajo për atdheun fizik, metafizik dhe surreal më duket veçanërisht e qëlluar, sepse prek marrëdhënien mes vendit dhe përkatësisë.
