Zv.ministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, në një deklaratë për mediat, ka falënderuar prindërit dhe kujdestarët që iu përgjigjën pozitivisht ftesës për bashkëpunim, duke i shoqëruar fëmijët në shkolla dhe duke mos i lejuar të bëhen pjesë e protestës së dhunshme.
Ruseti gjithashtu solli në vëmendje Kodin Penal, në të cilin parashikohen vepra penale dhe dënime edhe për të miturit e moshës 14-vjeçare, të cilët kryejnë akte vandale dhe ushtrojnë dhunë ndaj pronës publike e private, si dhe ndaj personave të tjerë.
Deklarata e plotë:
Në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duam t’i drejtohemi me një falënderim të veçantë të gjithë prindërve dhe kujdestarëve, të cilët iu përgjigjën thirrjes sonë për bashkëpunim dhe sot shoqëruan fëmijët e tyre për frekuentimin e rregullt të orëve të mësimit, duke bërë të mund mos përfshirjen e tyre në një protestë ku ekziston rreziku i përplasjeve të dhunshme.
Së bashku me mësuesit e tyre, ata bën të mundur që kjo të jetë një ditë normale për ta.
Dua të theksoj se, pavarësisht akteve të veçuara të dhunës të regjistruara deri në këto orë të pasdites, përfshirë sulmin ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë, situata është nën kontroll dhe Policia e Shtetit është në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Megjithatë, disa të rinj vijojnë të përfshihen në veprime të dhunshme. Për këtë arsye, sot u drejtohemi atyre dhe familjeve të tyre me një mesazh të qartë mbi pasojat ligjore të këtyre veprimeve. Ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk i përjashton ata nga përgjegjësia individuale për dhunën ndaj qytetarëve dhe punonjësve të policisë, dëmtimin dhe shkatërrimin e pronës publike apo private, zjarrvënien, vjedhjen apo mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mjeteve shpërthyese.
Të rinjtë dhe prindërit duhet të jenë të informuar se mosha e mitur nuk i përjashton automatikisht nga përgjegjësia penale. Sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç. Përgjegjësia do të vlerësohet individualisht, mbi bazën e veprimeve dhe provave për secilin person, duke respektuar në çdo rast prezumimin e pafajësisë.
Askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e të tjerëve vetëm për faktin se ndodhej në të njëjtën protestë. Interesi më i lartë i fëmijës, e drejta për mbrojtje dhe trajtimi me dinjitet do të udhëheqin çdo veprim institucional të Policisë së Shtetit dhe të institucioneve të shtetit shqiptar.
Qëllimi ynë është një dhe i vetëm, të parandalojmë dëmtimin e të miturve dhe përfshirjen e mëtejshme të tyre në veprimtari të kundërligjshme.
Të rinjve që ndodhen pranë zonave të përplasjeve u bëjmë thirrje edhe një herë, largohuni nga dhuna! Mos lejoni që nxitja e dikujt tjetër, presioni i grupit apo thirrje në rrjetet sociale t’ju çojë drejt veprimeve që mund të rrezikojnë jetën tuaj dhe të të tjerëve! Ushtrojeni të drejtën tuaj për protestë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi!
Prindër dhe kujdestarë,
vijoni të bashkëpunoni me institucionet e shtetit shqiptar! Flisni me fëmijët tuaj edhe për pasojat ligjore, krahas atyre fizike dhe psikologjike që sjell dhuna!
Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe përgjegjshmërinë e treguar dhe kërkojmë mirëkuptimin tuaj për vijimin e këtij bashkëpunimi për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
