Lajme

Haziri: Keqpërdorimi i flamurit të UÇK-së e bën të domosdoshëm ligjin për simbolet e saj

Analisti Nexhat Haziri ka reaguar pas protestës së mbajtur para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe.

Përmes një postimi, Haziri tha se protesta ishte e drejtë, por vlerësoi se nuk kishte nevojë që në një tubim të tillë të përdorej flamuri i UÇK-së.

“O vlla, a shkut me i shpallë luftë Maqedonisë së Veriut, a veç me tutë?”, ka shkruar ai, duke kritikuar ekspozimin e këtij simboli në protesta politike e qytetare.

Haziri ka bërë krahasime edhe me Marshin e Krenarisë, duke pyetur nëse flamuri i UÇK-së është përdorur edhe aty, duke iu referuar sloganit “Barazi ose Revoltë”.

Sipas tij, përdorimi i flamurit të UÇK-së është bërë i shpeshtë edhe në ngjarje sportive, “thua se po shkojmë me luftua e jo me lujtë futboll”.

Analisti vlerëson se keqpërdorimi i këtij simboli e bën të domosdoshëm miratimin e ligjit për simbolet e UÇK-së, i cili, sipas tij, do ta rregullonte mënyrën e përdorimit të tyre.

Të Ngjashme