Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK), dega në Has, ka bërë të ditur se është larguar pllaka e vendosur në shtëpinë e Ali dhe Nazife Osmanaj, familje kjo e Heroit të Kombit, Mehmet Osmanaj, nga fshati Goden
Sipas njoftimit, pllaka ishte vendosur nga Azem Syla pa konsultim me strukturat lokale të OVL UÇK-së në Has dhe jashtë procedurave të përcaktuara institucionale.
Përfaqësuesit e kësaj organizate theksojnë se veprime të tilla cenojnë standardet e vendosura për shënimin dhe nderimin e objekteve me rëndësi historike nga periudha e luftës.
OVL UÇK – dega në Has nënvizon se shtëpia e familjes Osmanaj nuk ka qenë në shërbim të një individi të vetëm, por ka funksionuar si bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1997–1999, duke kontribuar në përpjekjet për çlirim dhe sakrificën kolektive.
Në reagim, kjo organizatë ka kritikuar edhe, siç thuhet, tendencat për keqpërdorim të emrit të UÇK-së për qëllime politike, sidomos në raste kur individë apo grupe përballen me humbje të pushtetit. “Kjo dukuri nuk do të tolerohet më në Has”, thuhet në njoftim.
Më tej, OVL UÇK – Has ka bërë të ditur se është duke zhvilluar një proces verifikimi për të gjitha shtëpitë që kanë shërbyer si baza të UÇK-së gjatë luftës, me qëllim që ato të dokumentohen dhe të nderohen në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me ligjin. Ky proces do të realizohet në bashkëpunim me institucionet përkatëse, përfshirë Qendrën e Memorialeve të Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës.
Shtëpia e Heroit Mehmet Osmanaj konsiderohet si një ndër objektet simbol të rezistencës dhe sakrificës për liri në këtë rajon. Përfaqësuesit e OVL UÇK-së theksojnë se ruajtja e historisë në mënyrë të saktë dhe dinjitoze mbetet një obligim moral dhe kombëtar për brezat e tanishëm dhe ata që do të vijnë./RTK
