Në shënim të 27-vjetorit të Masakrës së Dubravës, të premtën duke filluar nga ora 11:00, në ambientet e Burgut të Dubravës do të mbahet një ceremoni homazhesh përkujtimore në nderim të të vrarëve, të plagosurve dhe të mbijetuarve të kësaj ngjarjeje tragjike, e cila ndodhi gjatë periudhës 19–24 maj 1999.
Në këtë aktivitet përkujtimor janë ftuar të marrin pjesë ish-të burgosurit, familjarët e viktimave, të mbijetuarit e masakrës, si dhe qytetarët që dëshirojnë të nderojnë kujtimin e viktimave dhe të shprehin respektin për sakrificën e tyre.
Sipas organizatorëve, hyrja në hapësirat e Burgut të Dubravës do të mundësohet nga ora 11:00.
Njëkohësisht, ftesë u është bërë edhe përfaqësuesve të mediave që të përcjellin nga afër këtë ngjarje përkujtimore, e organizuar në nderim të viktimave të Masakrës së Dubravës, një prej krimeve më të rënda të kryera ndaj të burgosurve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.
Ceremonia synon të ruajë kujtesën kolektive për ngjarjet e majit 1999 dhe të nderojë të gjithë ata që humbën jetën ose u përballën me pasojat e kësaj masakre.
