Lajme

Hoxha: Çdo cenim i Kosovës është cenim edhe për Shqipërinë

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se çdo cenim i sigurisë së Kosovës përbën njëkohësisht edhe cenim të sigurisë së Shqipërisë.

Në një prononcim për Top Channel, ai ka theksuar se paqja dhe stabiliteti në Kosovë janë prioritet i përbashkët ndërkombëtar dhe se Shqipëria mbetet e vendosur në mbështetjen e saj ndaj Kosovës në çdo rrethanë.

“Pikërisht për këtë arsye, çdo zhvillim në terren duhet parë në këtë kontekst: Kosova nuk është e vetme dhe paqja në të është një prioritet i përbashkët ndërkombëtar”, u shpreh Hoxha.

Ai ka theksuar se Shqipëria nuk ka zgjedhur të reagojë me deklarata të përshkallëzuara ndaj komenteve të përsëritura nga autoritetet serbe, por ka mbajtur një linjë të qëndrueshme dhe të kujdesshme në politikën e saj të jashtme.

“Shqipëria ka zgjedhur me vetëdije të mos bjerë në logjikën e retorikës së panevojshme e, aq më pak, në atë të përshkallëzimit”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, politika e jashtme shqiptare bazohet në bashkëpunim rajonal, fqinjësi të mirë dhe integrim evropian, duke u mbështetur në NATO dhe proceset euroatlantike.

“Ne flasim përmes angazhimit tonë konkret në NATO, në Procesin e Berlinit dhe në çdo nismë që synon stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”, ka theksuar Hoxha.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet për ekzistencën e një “aleance tripalëshe” kundër Serbisë, duke thënë se Shqipëria nuk është pjesë e asnjë aleance të tillë dhe se vepron në kuadër të NATO-s.

“Shqipëria nuk është pjesë e asnjë aleance rajonale apo tjetërsoj të drejtuar kundër ndonjë vendi të rajonit”, është shprehur ai.

Hoxha ka theksuar se Shqipëria mbështet fuqishëm Kosovën në rrugën e saj euroatlantike, por njëkohësisht synon marrëdhënie konstruktive me Serbinë në funksion të stabilitetit rajonal.

“Shqipëria mbështet fort sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe dënon çdo veprim që cenon stabilitetin”, ka shtuar ai.

Ai ka theksuar gjithashtu se çdo narrativë që synon të krijojë tensione në rajon nuk i shërben paqes dhe stabilitetit.

Sipas tij, Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke vepruar në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë për garantimin e sigurisë në rajon.

Të Ngjashme