Lajme

“I çon në fundin e tyre politik” – paralajmërimi i fortë për grupin e Osmanit

Vjosa Osmani është bashkuar zyrtarisht me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit, në një zhvillim që po konsiderohet si një nga lëvizjet më të rëndësishme politike para procesit zgjedhor. Marrëveshja është bërë publike nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili para Këshillit të Përgjithshëm të partisë propozoi që Osmani të jetë bartëse e listës zgjedhore dhe njëherësh kandidate për presidente.

Sipas Abdixhikut, Osmani nuk do të jetë e vetme në këtë bashkëpunim politik, pasi në listën e përbashkët do të përfshihen edhe 19 kandidatë të tjerë për deputetë, të cilët vijnë nga iniciativa dhe strukturat që e kanë mbështetur atë ndër vite. Ai tha se ky koalicion synon të krijojë një frymë të re politike dhe të bashkojë figura profesionale e qytetare rreth një vizioni të përbashkët për Kosovën.

Ndër figurat që tashmë janë rreshtuar publikisht në krah të Osmanit, janë deputetët Jeta Statovci, Haxhi Avdyli dhe Albena Reshitaj, të cilët kanë kaluar zyrtarisht në këtë front të ri politik.

Po ashtu, listës i janë bashkuar edhe emra të njohur nga fusha të ndryshme të shoqërisë civile, akademisë dhe aktivizmit. Në mesin e tyre është Fahrije Hoti, simbol i qëndresës dhe fuqizimit të grave në Kosovë, si dhe Bardhyl Hasanpapaj, i njohur për angazhimin në çështjet e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

Pjesë e ekipit është bërë edhe Visar Xani, ndërsa mbështetje ka dhënë edhe Besim Kodra, duke sinjalizuar përfshirjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të sektorëve të ndryshëm profesionalë në këtë iniciativë politike.

Zgjedhjet e 7 qershorit pritet të jenë vendimtare për konfigurimin e ri politik në Kosovë, ndërsa bashkimi Osmani-LDK tashmë po shihet si një nga zhvillimet më të komentuara të fushatës parazgjedhore.

Gacaferi: Unë i bindur jam që kjo lëvizje e tyre i çon në fundin e tyre politik

Anëtari i listës Guxo, Luan Gacaferi në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se ky veprim politik pritet t’u kushtojë shtrenjtë ish-deputetëve të Guxo, duke e cilësuar si një gabim që mund t’i çojë drejt fundit të karrierës së tyre politike.

Image
Luan Gacaferi

“Aderimet e ish deputetëve në fjalë janë gabimet më fatale, që ata e ato kanë mundur t’i bëjnë për karrierën e tyre politike!

Unë i bindur jam, që kjo lëvizje e tyre i çon në fundin e tyre politik”, tha në një përgjigje të shkurt Gacaferi për “Bota sot”.

Halilaj: LVV mbetet forca që ka ndërtuar besimin qytetar përmes kauzës, organizimit dhe mbështetjes popullore

Kurse, anëtari tjetër i Guxo, Gazmend Halilaj, vlerëson se afrimi i Jeta Statovcit, Haxhi Avdylit dhe Albena Reshitajt me Vjosa Osmanin është më shumë lëvizje individuale sesa politike.

Image
Gazmend Halilaj

Sipas tij, qytetarët mbështesin programin dhe vizionin e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa largimet apo afrimet e individëve nuk ndikojnë në mbështetjen që ka kjo parti në opinionin publik.

“Aderimet e fundit të Jeta Statovci, Haxhi Avdyli dhe Albena Reshitaj pranë Vjosa Osmani po interpretohen si lëvizje më shumë individuale sesa politike në frymën e ndryshimit që përfaqëson Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Në politikë, qytetarët zakonisht mbështesin vizionin dhe programin, jo afrimet personale apo grupimet rreth individëve.

LVV mbetet forca që ka ndërtuar besimin qytetar përmes kauzës, organizimit dhe mbështetjes popullore, ndërsa çdo largim apo afrim individual nuk e ndryshon thelbin e mbështetjes që ka kjo lëvizje në opinionin publik”, përmbylli ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme