Aktuale

I “forti” i kërkuar nga SPAK lëviz i lirë dhe godet me qytën e pistoletës 36-vjeçarin në Durrës, reagon policia: Na iku prapë! (Emrat)

Pas publikimit të ngjarjes, Policia e Durrësit ka reaguar zyrtarisht, duke konfirmuar konfliktin e ndodhur në Shkallnur, ku është përfshirë edhe Denis Tafili, person i shpallur më herët në kërkim nga SPAK.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 15:00 të datës 24 korrik, në fshatin Shkallnur, gjatë një konflikti për motive të dobëta, Edison Gjuzi, 36 vjeç, është goditur me qytën e një pistolete nga Denis Tafili, 41 vjeç, person i shpallur më parë në kërkim, dhe Gentian Meta, 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur. Pas konfliktit, të dy janë larguar me automjet.

Policia konfirmon gjithashtu se në konflikt dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe një punonjës policie, jashtë shërbimit, Inspektori L. Xh. Ai është shoqëruar, ndërsa ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një gëzhojë pistolete dhe, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri.

Ndërkohë, Policia bën të ditur se ka rrethuar zonën, ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon kërkimet për kapjen e autorëve.

Denis Tafili, i shpallur në kërkim nga SPAK për akuzat e trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave në kuadër të dosjes së një organizate kriminale në Durrës, rezulton të lëvizë i lirë dhe të përfshihet në një konflikt që degradoi deri në përdorimin e armës së zjarrit.

Një tjetër pikëpyetje lidhet me kohën e reagimit të Policisë. Ngjarja, sipas vetë njoftimit zyrtar, ka ndodhur rreth orës 15:00, ndërsa Policia e Durrësit reagoi vetëm rreth orës 22:30, pasi lajmi ishte publikuar prej orësh.

Mbi shtatë orë heshtje për një konflikt me armë, ku protagonist rezulton një person i shpallur në kërkim nga SPAK dhe një punonjës policie.

Kjo vonesë ngre pikëpyetje mbi arsyet pse një ngjarje e tillë u mbajt jashtë njoftimit zyrtar për kaq gjatë.

Njoftimi i policisë:

Më datë 24.07.2026, rreth orës 15:00, Salla Operative e DVP Durrës është njoftuar se, në fshatin Shkallnur, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. Gj, 36 vjeç, është goditur me sende të forta (qytë pistolete) nga shtetasit D. T., 41 vjeç, person i shpallur më parë në kërkim, dhe G. M., 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur, Durrës, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet.

Gjithashtu, dyshohet se në konflikt ka qenë i përfshirë edhe një punonjës policie, jashtë shërbimit, Inspektor L. Xh., i cili është shoqëruar dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë pistolete. Dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri pistoletë.

Ndërkohë, forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.

Të Ngjashme