Një situatë e vështirë po përjetohet nga banorët në Levan të Fierit pasi flakët kanë përfshirë banesa dhe materiale të ndryshme.
Ndërkaq, zjarri vijon të përhapet i favorizuar nga era.
Sipas banorëve, një pjesë e banesave dhe kafshëve janë djegur, ndërsa ndërhyrja nga ajri është ndërprerë pasi helikopterit i ka mbaruar karburanti.
Një prej banorëve tha se helikopteri kishte kryer rreth 20 ndërhyrje për shuarjen e flakëve, por ishte i vetmi mjet ajror që po vepronte në zonë.
“E ka kaluar atë që ra në orën 10 në mëngjes. I mbaroi benzina helikopterit”, tha banori.
Sipas tij, situata në terren mbetet e vështirë edhe për shkak të mungesës së ujit dhe numrit të kufizuar të mjeteve zjarrfikëse.
“Me kaq zjarrfikëse sa janë këtu, mbaroi uji, uji s’ka”, tha ai.
Banorët tregojnë se flakët kanë përfshirë një lagje të tërë dhe kanë shkaktuar dëme në banesa dhe në bagëti.
“Çfarë ullinjsh, u dogjën lopët, u dogj shtëpia, u dogjën kafshët”, tha një prej tyre, duke përshkruar situatën në zonë.
Ndërkohë, zjarri vijon të përhapet drejt zonave të tjera.
Banorët shprehen se flakët po afrohen me lagjen e romëve dhe, nëse vazhdojnë në këtë drejtim, mund të përfshijnë edhe zonat me pisha.
“Rrezikohen të tjera tani, po shkon drejt lagjes së romëve”, tha një tjetër banor.
Një tjetër shqetësim është era e fortë, e cila sipas banorëve po favorizon përhapjen e flakëve dhe e bën më të vështirë ndërhyrjen.
Përballë situatës, banorët kërkojnë që në zonë të dërgohen më shumë mjete dhe forca zjarrfikëse nga qarqe të tjera, pasi sipas tyre kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme për përmasat e zjarrit.
“Duhet të vijnë nga e gjithë Republika zjarrfikësit, se po s’erdhën është problem. Gjithë kjo natë, era siç e shikon favorizon shumë”, tha banori.
Ai e përshkroi natën që i pret si shumë të vështirë, ndërsa shtoi se një situatë e tillë nuk është përjetuar më parë në atë zonë.
