Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka reaguar pas vendimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai në një deklaratë me shkrim për media thekson se ky vendim ka shkaktuar hidhërim të thellë dhe ka rikthyer ndjenjën e padrejtësive historike.
“Vendimi i Dhomave të Specializuara na kujton edhe njëherë se ‘kalvari’ i padrejtësive historike vazhdon. E ne s’na mbetet gjë tjetër veçse të bashkohemi për ta bindur drejtësinë që të jetë e drejtë ndaj nesh”, deklaroi Gjergji.
Ai bëri thirrje që dhimbja të mos e errësojë arsyen dhe zemërimi të mos e zbehë urtinë.
Sipas tij, çdo reagim duhet të jetë i matur, paqësor dhe i përgjegjshëm. Kundërshtimi i vendimit, tha ai, duhet të bëhet përmes rrugëve juridike dhe institucionale.
“Zemërimi i një populli është i kuptueshëm vetëm atëherë kur shndërrohet në forcë për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë”, theksoi ai.
Gjergji kërkoi nga institucionet dhe klasa politike e Kosovës të tregojnë përgjegjësi dhe bashkërendim.
Ai shtoi se ndasitë duhet të lihen mënjanë kur preken liria, dinjiteti dhe kujtesa historike e popullit.
“Sot duhet të bashkohemi si komb: rreth të vërtetës, dinjitetit tonë dhe përgjegjësisë për të ardhmen. Ashtu që të ruhet pastërtia e përpjekjes së popullit tonë për liri, të forcojmë miqësitë me ata që na qëndruan pranë në ditët më të vështira dhe të rindërtojmë besimin e lënduar pas çlirimit”, deklaroi Gjergji.
Ipeshkvi bëri thirrje që Kosova t’i ruajë miqësitë me vendet që i qëndruan pranë gjatë luftës. Ai kërkoi gjithashtu rindërtimin e besimit të lënduar pas çlirimit.
Gjergji tha se Kisha nuk mund të gjykojë njerëzit apo drejtësinë, por as të heshtë përballë kësaj situate.
“Detyra jonë është të kërkojmë të vërtetën pa urrejtje, drejtësinë pa hakmarrje dhe pajtimin pa harruar atë që është e drejtë”, u shpreh ai.
Në fund, Gjergji tha se Kosovës nuk i duhet më shumë zhurmë, por urtësi, bashkim, qëndrueshmëri dhe besim.
Më 16 shtator, Gjykata Special në Hagë ka dënuar në shkallën e parë ish-presidentin Hashim Thaçi me 25 vjet, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet.
