Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka kontaktuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe atë të PDK-së, Bedri Hamza, me qëllim të zhvillimit të një takimi për të arritur dakordim rreth zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.
Kurti tha se konstituimi i plotë i Kuvendit nuk mund të përmbyllet pa zgjedhjen e nënkryetarëve dhe se për këtë nevojitet dakordim ndërmjet subjekteve politike.
“Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët, e për këtë nevojitet dakordim. Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së, gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim. Le të jemi pozitivë e konstruktivë”, tha Kurti.
Kreu i LVV-së u deklarua edhe për qëndrimin e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili gjatë propozimit të Sllavko Simiqit për nënkryetar të Kuvendit u shpreh se propozimi bëhej “në emër të popullit serb”.
Kurti tha se kjo deklaratë ishte në kundërshtim me kushtetutshmërinë e Kosovës dhe me betimin e deputetit.
“Siç e tha edhe kryetarja e Kuvendit, deklarata e përfaqësuesit të Listës Serbe ishte në shpërputhje me kushtetutshmërinë e Kosovës, me betimin që ai vetë e ka bërë dhe për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Sllavko Simiqin”, tha Kurti.
Ai shtoi se në Kuvend mund të votohet vetëm propozimi i dorëzuar me shkrim, duke përmendur edhe reagimet e deputetëve lidhur me deklaratën e Simiqit.
“Dikush nga grupi parlamentar tha që kjo mund të jetë edhe në kuadër të euforisë së tij nga varrimi i Ratko Mladiqit, i komandantit që masakroi boshnjakët. Nuk mund të votohet në Kuvend ai lloj propozimi që u deklarua, vetëm ai me shkrim”, u shpreh Kurti.
Ftesa e kryetarit të LVV-së dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, drejtuar liderëve të PDK-së dhe LDK-së, Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut, për të diskutuar votimin e nënkryetarëve të Kuvendit, shihet si një hap drejt dialogut politik dhe tejkalimit të bllokadës institucionale.
Analisti politik Zejnullah Jakupi vlerëson se gatishmëria e Kurtit për t’u ulur në një tavolinë me dy partitë opozitare është një sinjal i rëndësishëm për nevojën e arritjes së një kompromisi institucional.

Analisti politik Zejnullah Jakupi
Sipas tij, fakti që Kurti po kërkon takim me liderët e PDK-së dhe LDK-së dëshmon se për funksionalizimin e Kuvendit nevojitet një marrëveshje ndërmjet subjekteve politike. Jakupi thekson se një dakordim i tillë nuk duhet të interpretohet domosdoshmërisht si marrëveshje koalicioni apo bashkëqeverisjeje, por si një kompromis minimal që do t’u mundësonte institucioneve të funksionojnë normalisht.
“Ftesa e kryetarit të LVV-së dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, drejtuar liderëve të PDK-së dhe LDK-së, Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut, për të diskutuar votimin e nënkryetarëve të Kuvendit, duhet të shihet si një sinjal i rëndësishëm politik për nevojën e dialogut dhe të tejkalimit të bllokadës institucionale. Fakti që Kurti po kërkon takim me liderët e dy partive opozitare tregon se është e nevojshme një marrëveshje ndërmjet subjekteve politike për ta bërë Kuvendin funksional. Në këtë fazë, kjo nuk duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht ndonjë marrëveshje koalicioni apo bashkëqeverisjeje, por një kompromis minimal institucional që do t’i hapte rrugë funksionimit normal të institucioneve”, ka deklaruar Jakupi.
Ai konsideron se hapësira për kompromis ndërmjet LVV-së, PDK-së dhe LDK-së ekziston, ndonëse është e kufizuar për shkak të mosbesimit të madh politik ndërmjet palëve. Sipas Jakupit, mosvotimi i kandidatëve për nënkryetarë ka treguar qartë se përplasjet politike vazhdojnë të jenë të forta, por ato nuk duhet ta pengojnë funksionalizimin e institucioneve.
“Hapësira për kompromis ndërmjet LVV-së, PDK-së dhe LDK-së ekziston, por ajo është e kufizuar. Mosvotimi i kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit ka dëshmuar se ndërmjet palëve vazhdon të ketë mosbesim të thellë politik. Megjithatë, interesat partiake nuk duhet të vendosen mbi nevojën për funksionalizimin e institucioneve. Një zgjidhje e arsyeshme do të ishte që palët të ndajnë çështjen e funksionalizimit të Kuvendit nga përplasjet e tyre për pushtetin. Votimi i kryesisë dhe nënkryetarëve mund të trajtohet si çështje institucionale, ndërsa dallimet programore dhe politike të mbeten objekt i debatit të mëtejshëm parlamentar”, është shprehur ai.
Analisti Jakupi thotë se gatishmëria për kompromis duhet të dëshmohet me hapa konkretë dhe jo vetëm përmes deklaratave politike. Ai thekson se nëse Kurti dëshiron realisht tejkalimin e situatës, atëherë duhet të paraqesë propozime konkrete dhe të jetë i gatshëm për lëshime të arsyeshme. Në të njëjtën kohë, sipas tij, edhe PDK-ja dhe LDK-ja duhet të tregojnë përgjegjësi institucionale dhe të mos kufizohen vetëm në kundërshtimin politik të LVV-së.
“Nëse kryetari Kurti tregon gatishmëri reale për kompromis, kjo gatishmëri duhet të shoqërohet me propozime konkrete dhe lëshime të arsyeshme. Në të njëjtën kohë, edhe PDK-ja dhe LDK-ja duhet të dëshmojnë se janë të gatshme të kontribuojnë në zhbllokimin e institucioneve dhe jo vetëm ta kundërshtojnë LVV-në politikisht. Në rast se një marrëveshje nuk arrihet, përgjegjësia politike nuk mund t’i atribuohet automatikisht vetëm njërës palë. Ajo duhet të vlerësohet mbi bazën e sjelljes konkrete të secilit subjekt: kush ofron zgjidhje, kush pranon kompromis dhe kush refuzon një marrëveshje të arsyeshme”, ka thënë Jakupi.
Sipas tij, nëse Kurti ofron një formulë konkrete dhe opozita refuzon çdo kompromis pa paraqitur alternativë, atëherë përgjegjësia për vazhdimin e bllokadës duhet të jetë e përbashkët, me një peshë të veçantë për ata që refuzojnë zgjidhjen. Por, Jakupi paralajmëron se e njëjta përgjegjësi bie edhe mbi LVV-në nëse ftesa për dialog mbetet vetëm një veprim politik dhe nuk shoqërohet me gatishmëri reale për lëshime.
“Nëse Kurti ofron një formulë konkrete për tejkalimin e ngërçit dhe opozita refuzon çdo kompromis të mundshëm pa ofruar alternativë, atëherë përgjegjësia për vazhdimin e bllokadës do të jetë e përbashkët, por me peshë të veçantë për ata që zgjedhin ta mbajnë Kuvendin jofunksional. Nëse, përkundrazi, ftesa mbetet vetëm një veprim politik pa gatishmëri për lëshime reale, atëherë edhe LVV-ja duhet të mbajë përgjegjësinë për dështimin e dialogut”, ka deklaruar ai.
Jakupi vlerëson se pasojat e bllokadës institucionale nuk kufizohen vetëm te raportet ndërmjet partive politike, por prekin drejtpërdrejt funksionimin e shtetit dhe qytetarët. Ai thekson se një Kuvend jofunksional vështirëson miratimin e ligjeve, mbikëqyrjen parlamentare dhe marrjen e vendimeve të rëndësishme për vendin.
“Vazhdimi i bllokadës nuk është vetëm problem i partive politike. Ai prek drejtpërdrejt funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Një Kuvend jofunksional e vështirëson miratimin e ligjeve, mbikëqyrjen parlamentare, marrjen e vendimeve të rëndësishme dhe krijimin e një qeverisjeje plotësisht funksionale. Për këtë arsye, në këtë moment Kosovës i duhet më shumë përgjegjësi politike sesa retorikë partiake. Palët duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për dialog dhe të gjejnë një kompromis që i jep fund bllokadës. Askush nuk fiton politikisht nëse institucionet mbeten të paralizuara, ndërsa kostoja përfundimtare i mbetet qytetarit dhe shtetit. Funksionalizimi i institucioneve duhet të jetë prioriteti i parë. Dallimet politike mund të vazhdojnë të debatohen, por institucionet e Kosovës nuk mund të mbahen peng nga mungesa e kompromisit politik”, ka përfunduar Jakupi.
