Lajme

Irani dhe Hezbollahu kushtëzojnë paqen me tërheqjen e Izraelit nga Libani

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) deklaroi se “nuk do të ketë paqe në rajon” pa tërheqjen e Izraelit nga territori libanez.

Në një deklaratë të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, IRGC tha se “kushti ynë fillestar për të pranuar një armëpushim në luftën rajonale ka qenë një armëpushim në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”.

“Armiku duhet të ndalojë urgjentisht sulmet ndaj popullit libanez dhe të tërhiqet menjëherë pas kufijve ndërkombëtarë duke evakuuar territoret e pushtuara të Libanit, si dhe të njohë integritetin territorial të Libanit”, thuhet në deklaratë sipas citimit të Al Jazeera-s.

Një qëndrim i ngjashëm është mbajtur edhe nga Naim Qassem, sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, i cili kritikoi negociatat dhe koordinimin e drejtpërdrejtë mes qeverisë libaneze dhe Izraelit.

Ai kundërshtoi gjithashtu idenë e çarmatimit të “rezistencës”, duke iu referuar Hezbollahut, në këmbim të një armëpushimi. Sipas tij, çdo marrëveshje duhet të përfshijë një armëpushim të plotë në territorin libanez dhe tërheqje të plotë të forcave izraelite.

Nga ana tjetër, zyrtarët izraelitë, pavarësisht marrëveshjeve të arritura, kanë deklaruar se do të vazhdojnë operacionet në Libanin jugor dhe kanë shprehur synimin për të mbajtur praninë e tyre në zonën e Kështjellës Beaufort./teve1.info/

Të Ngjashme