Aktuale

Ish kancelarja Angela Merkel u bën thirrje gjermanëve: Ngrihuni, duhet të luftojmë për …

Një javë para zgjedhjeve rajonale në Saksoni-Anhalt, ish-kancelarja gjermane Angela Merkel u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbrojnë demokracinë dhe të tregohen të guximshëm përballë forcimit të së djathtës ekstreme.

Gjatë një aktiviteti në Berlin të shtunën, Merkel deklaroi se Gjermania ndodhet përballë një situate që nuk është përjetuar prej shumë dekadash dhe se qytetarët duhet të angazhohen për mbrojtjen e demokracisë.

“Duhet të luftojmë për këtë demokraci, të ngrihemi për të, të jemi pak më të guximshëm dhe të themi se kjo është një mënyrë e mrekullueshme për të jetuar”, u shpreh ajo.

Merkel theksoi se shumica e gjermanëve nuk votojnë për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Sipas ish-kancelares, AfD është veçanërisht e fortë në ish-landet e Gjermanisë Lindore, por vitet e fundit ka zgjeruar mbështetjen edhe në pjesën perëndimore të vendit.

“Është bërë një fenomen mbarëgjerman”, tha Merkel, duke iu referuar rezultateve të AfD-së edhe në zgjedhjet rajonale në Baden-Württemberg dhe Rheinland-Pfalz.

Duke folur për fushatën zgjedhore në Saksoni-Anhalt, Merkel tha se AfD ka arritur në një masë të konsiderueshme të “dominojë të gjitha diskutimet tona nga mëngjesi deri në mbrëmje”.

Sipas saj, kjo ka bërë që qytetarët të mos kenë më një ide të qartë se çfarë ofrojnë dhe çfarë synojnë partitë e tjera politike.

Zgjedhjet për parlamentin e ri të landit të Saksoni-Anhalt do të zhvillohen më 6 shtator.

AfD kryeson ndjeshëm në sondazhet para zgjedhjeve, duke e bërë këtë garë një test të rëndësishëm për forcën e së djathtës ekstreme në politikën gjermane.

Të Ngjashme