Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese: Kurti ka mbështetje, prandaj ndërkombëtarët se heqin dot

 
   

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese së Kosovës, Enver Hasani thotë se po të mos e kishte mbështetjen që e ka, kryeministri Albin Kurti “do të kishte shkuar shumë kohë më parë në shtëpi”.

Hasani tha se ndërkombëtarët do ta trajtonin ndryshe nëse mbështetja ndaj Kurtit do të binde në 20%.

“Po të mos ishte ajo mbështetje, do të kishte shkuar shumë kohë më parë në shtëpi. Kurti e di shumë mirë se të huajt do ta trajtonin ndryshe nëse mbështetja e tij do të binte në njëzet për qind. Ai po ndez zjarrin populist për ta ruajtur atë mbështetje”, tha Hasani.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha se Kurti e kupton presionin e fortë nga opozita dhe opinioni publik në rast të ndonjë kompromisi me Serbinë dhe thotë se për shkak të kësaj “ai i planifikon lëshimet e tij me shumë kujdes”.

Hasani thotë se “taktika e kësaj qeverie është të përmbahet për një kohë, pastaj t’u drejtohet votuesve të saj dhe t’i radikalizojë gjërat dhe më pas të zbutet”.

“Arsyeja kryesore pse Kurti filloi të krijonte probleme pas Marrëveshjes së Ohrit është se ai pa që jo vetëm ishte dakord për legalizimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme me Serbinë, por ajo marrëveshje shtoi edhe disa elementë të rinj, siç është karakteri i autonomisë serbe në Kosovë.. Dhe kjo është autonomi në kuptimin e plotë”, tha Hasani.

Ai tha se “ai e kuptoi se këshilltarët vendas dhe të huaj e kishin mashtruar sepse i thanë se nëse nuk e nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit, Kosova mund të zhduket si shtet”.

“Kurti e kuptoi se duke rënë dakord me Marrëveshjen e Ohrit, e hoqi çështjen e njohjes së Kosovës nga agjenda e dialogut me Serbinë. Kur i kuptoi të gjitha këto, filloi të menaxhojë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke krijuar një krizë me qëndrime radikale, pastaj duke e kontrolluar atë dhe më pas duke filluar të dorëzohej”, tha Hasani.