Lajme

Maqedonci flet për rreziqet e teknologjive ushtarake

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë si folës në panelin “The Battle for Democracy in the AI Age”, në kuadër të Warsaw Security Forum, ku është diskutuar ndikimi i inteligjencës artificiale në fushën e mbrojtjes, vendimmarrjen politike dhe qëndrueshmërinë demokratike.

Përmes një deklarate lidhur me pjesëmarrjen e tij në këtë forum, Maqedonci ka theksuar rëndësinë e trajtimit të mundësive që ofron inteligjenca artificiale, por edhe të rreziqeve afatgjata që lidhen me zhvillimin e shpejtë të teknologjive ushtarake.

Gjatë diskutimit, ministri ka nënvizuar se, pavarësisht përdorimit të inteligjencës artificiale në operacionet luftarake, vendimmarrja duhet ta ruajë dimensionin njerëzor, ndërsa përgjegjësia përfundimtare duhet të mbetet te njerëzit.

Postim i plotë:

Sot, në kuadër të Warsaw Security Forum, pata kënaqësinë të marr pjesë si folës në panelin “The Battle for Democracy in the AI Age”, në kuadër të diskutimeve për qëndrueshmërinë demokratike.

Në fjalën time trajtova ndikimin e inteligjencës artificiale në zhvillimin e fushës së mbrojtjes, mundësitë që sjell dhe rreziqet afatgjata që lidhen me zhvillimin e shpejtë të teknologjive ushtarake. Theksova se, edhe kur inteligjenca artificiale përdoret në operacionet luftarake, vendimmarrja duhet ta ruajë dimensionin njerëzor dhe përgjegjësinë përfundimtare duhet ta mbajnë njerëzit.

Diskutimi u zgjerua edhe te ndikimi i inteligjencës artificiale në vendimmarrjen politike dhe në shoqëri, si dhe te sfidat që këto zhvillime paraqesin për demokracinë.

Të Ngjashme