Ish-ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Rifat Latifi, i ka drejtuar një letër presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, pas deklaratës së këtij të fundit në Beograd se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Latifi, në letër shpreh zhgënjim të thellë për qëndrimin e Kievit ndaj pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar deklaratën e Zelenskyt në Beograd si një qëndrim që, sipas tij, bie ndesh me interesat dhe përvojën e vetë Ukrainës.
“Çdo argument që është përdorur kundër Kosovës, është përdorur edhe kundër jush, nga e njëjta fuqi dhe me të njëjtat fjalë”, shkruan ish-ministri.
Latifi kujtoi gjithashtu angazhimin e tij personal ndaj Ukrainës.
“Si shqiptaro-amerikan nga Kosova, unë e vizitova Ukrainën për t’i dalë në ndihmë pas pushtimit të parë”, shkruan ai, duke shtuar se shpreson që në një vizitë të ardhshme ta shohë Ukrainën të lirë.
Në letrën e tij, ish-ministri argumenton se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës është veçanërisht zhgënjyes për shkak të ngjashmërive që, sipas tij, ekzistojnë mes përvojës së Kosovës dhe asaj që po përjeton Ukraina përballë agresionit rus.
“Ne e dimë se çfarë po durojnë njerëzit tuaj, sepse e kemi duruar edhe vetë, nga dora e së njëjtës doktrinë dhe në kujtesën tonë të gjallë”, shprehet Latifi.
Ai e kritikon ashpër edhe afrimin e Zelenskyt me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke e paralajmëruar presidentin ukrainas se bashkëpunimi me Beogradin dhe përpjekjet për afrimin me Moskën përbëjnë, sipas tij, “rrugën e gabuar”.
“Nëse po krijoni aleanca me Vuçiqin, duke u përpjekur të bëheni mik me Putinin, ju keni zgjedhur rrugën e gabuar. Krejtësisht të gabuar”, thuhet në letër.
Latifi e përfundon letrën duke shprehur solidaritetin e tij me popullin ukrainas dhe duke bërë thirrje që Ukraina të qëndrojë në krah të Kosovës.
“Me respekt, dhe me solidaritet të vazhdueshëm për popullin e Ukrainës”, përfundon letra e nënshkruar nga Prof. Dr. Rifat Latifi, ish-Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës.
