Lajme

Islami: Vulin me narrativë frike, Kosova vazhdon të ruajë stabilitetin

Analisti i sigurisë, Avni Islami, tha se Aleksandër Vulin po përdor narrativën e frikës, po Kosova por vazhdon të ruajë stabilitetin

“Aleksandër Vulin njihet si një nga eksponentët më anti-shqiptarë, si me deklaratat e tij publike, ashtu edhe me veprimet konkrete. Gjatë periudhave të ndryshme, ai ka mbajtur pozita të larta shtetërore, duke përfshirë edhe atë të shefit të Agjencisë Informative të Sigurisë (BIA) në Serbi. Në intervistën e tij të fundit në emisionin “Fokus” në TV B92, Vulin u fokusua tek marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke folur mbi tensionet politike dhe ato të sigurisë”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Sipas tij, gjatë gjithë narracionit të tij, ai u përqendrua në pretendimet për incidente të shtuara ndëretnike, të cilat erdhën si reagim ndaj njoftimeve të NATO-s se do të shqyrtohet mundësia e zvogëlimit të numrit të ushtarëve të KFOR-it, si rrjedhojë e përmirësimit të përgjithshëm të gjendjes së sigurisë në Kosovë.

“Përballë kësaj propagande, gjendja reale e sigurisë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës është plotësisht e qetë dhe stabile. Në këtë kuadër, së shpejti Policia e Kosovës pritet të marrë nën menaxhim të plotë operativ edhe sigurinë e manastireve serbe, një hap ky që do të parandalojë përfundimisht keqpërdorimin e këtyre objekteve fetare nga ana e strukturave të sigurisë së Serbisë me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës. Institucionet e sigurisë së vendit tonë, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë që janë të thirrur për ruajtjen e paqes, mbeten të gatshme në çdo kohë dhe punojnë me kapacitet të plotë 24/7 për të garantuar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët”, tha Islami.

Të Ngjashme