Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për deputet, Uran Ismaili, ka thënë se Kosova ka shkuar edhe njëherë në zgjedhje për shkak të ambicies së Albin Kurtit për më shumë pushtet.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Ismaili tha se kryeministrit në detyrë “nuk i del boll asgjë”, duke shtuar se ai kërkon të kontrollojë secilin që mendon ndryshe.
“Jemi në zgjedhje jo pse kemi dashtë. Jemi në zgjedhje për shkak të një njeriu, vetëm një njeri, që nuk i del boll asgjë. Që 51.1 për qind kur i merr, lyp më shumë. Don me kontrollu, don me nënshtru secilin njeri që mendon kundër, që mendon ndryshe”, tha Ismaili.
Ai shtoi se kjo qeverisje ka sjellë krizë në çdo sektor, nga politika e ekonomia, deri te shëndetësia, arsimi dhe raportet me Shqipërinë.
Në postimin e tij, Ismaili shkroi se Kosova “nuk mund të mbahet peng nga ambicia e një njeriu për pushtet absolut”.
“Nuk mund të vazhdojmë me krizë si mënyrë qeverisjeje, me përçarje si mjet politik dhe me shtet që punon për pushtetin, jo për qytetarin. Ka ardhur koha t’i themi STOP kësaj mendësie, STOP krizës dhe ta ndryshojmë Kosovën!”, ka shkruar Ismaili.
Video e plotë:
