Italia njoftoi sot dëbimin e dy agjentëve të shërbimeve sekrete ruse, të cilët ndodheshin në vend me status diplomatik.
Qeveria italiane e cilësoi rastin si një “ndërhyrje të rëndë dhe të papranueshme”, vetëm dy ditë pasi u arrestuan dy ish-agjentë italianë të zbulimit të dyshuar për bashkëpunim me Moskën.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, bëri të ditur në rrjetin X se qeveria ka vendosur të dëbojë dy atashe ushtarakë të Ambasadës së Federatës Ruse në Itali, pasi hetimet e Prokurorisë së Romës zbuluan përfshirjen e tyre në veprimtari spiunazhi.
Sipas Tajanit, Ministria e Jashtme i ka komunikuar ambasadorit rus në Romë se Ivan Petrovich Gorbachev dhe Mikhail Vasilyevich Astakhov duhet të largohen nga Italia brenda tre ditësh.
Vendimi vjen pas arrestimit të dy ish-zyrtarëve italian të zbulimit, të cilët akuzohen se i kanë dorëzuar Rusisë informacione të ndjeshme, përfshirë të dhëna mbi ndihmën ushtarake që Italia dhe aleatët po i ofrojnë Ukrainës.
Sipas gazetave italiane “La Repubblica” dhe “Il Messaggero”, të paktën njëri prej agjentëve rusë kishte siguruar, në këmbim të parave, informacione mbi sistemin franko-italian të mbrojtjes ajrore SAMP/T, të cilin Ukraina pritet ta marrë këtë vit për testim, si edhe mbi raketat frankotaliane Aster, që tashmë janë dorëzuar në Kiev.
Raportimet shtojnë se interesi i agjentit rus shtrihej edhe te misioni i NATO-s në Bullgari dhe kompania italiane ”Avio”, e cila prodhon motorë për dronë dhe raketa supersonike.
