Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se ushtria do të vazhdojë operacionet tokësore në Libanin jugor, vetëm disa orë pasi Izraeli dhe Libani ranë dakord për zbatimin e një armëpushimi të mbështetur nga SHBA për t’i dhënë fund armiqësive.
Katz tha se Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) nuk do të tërhiqen nga Libani jugor, përfshirë Kështjellën Beaufort, dhe se qindra mijëra persona të zhvendosur nuk do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre, transmeton Guardian.
“Në këtë fazë, IDF do të vazhdojë operacionet e saj me zjarr dhe tokë, do të mbetet në zonën e sigurisë në Liban deri në vijën e verdhë – duke përfshirë zonën Beaufort – dhe pa kthimin e popullsisë, ndërsa do të vazhdojë të çmontojë infrastrukturën terroriste në terren”, tha ai në një deklaratë.
Ai shtoi se IDF ruan “lirinë e veprimit, me mbështetjen amerikane, për të sulmuar Bejrutin në përgjigje të zjarrit ndaj komuniteteve dhe territorit izraelit”.
IDF paralajmëroi gjithashtu mëngjesin e sotëm se luftimet do të vijojnë në Libanin jugor dhe u bëri thirrje banorëve të “përmbahen nga drejtimi në jug të lumit Zahrani”.
Ndërkohë, Agjencia zyrtare Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi se disa persona u plagosën si pasojë e sulmeve izraelite në zonat jugore të Tyrit dhe Nabatieh, rajone që kanë qenë shpesh objekt i bombardimeve në javët e fundit.
Këto zhvillime ndodhën vetëm një ditë pasi qeveritë e Izraelit dhe Libanit ranë dakord për zbatimin e një armëpushimi të kushtëzuar pas raundit të katërt të bisedimeve në Uashington.
