Lajme

Jashari e Haxhiu flasin për procesin e tranzicionit të FSK-së

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zyrtar u.d. Presidenten e Republikës së Kosovës,  Albulena Haxhiu.

Fillimisht Gjeneral Jashari i uroi mirëseardhje u.d. Presidentes Haxhiu të cilën e informoi në lidhje me proceset nëpër të cilat po kalon Forca e Sigurisë së Kosovës, të arriturat e saj dhe rrugën përpara.

Gjithashtu ata diskutuan për planifikimet e FSK-së, duke përfshirë fazën aktuale të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit (PGJT), procesin e planifikimit afatgjatë të zhvillimit si dhe sfidat aktuale të Forcës.

“Për më tepër u theksua rëndësia e pjesëmarrjes së FSK-së në operacione ndërkombëtare jashtë vendit, e cila e shndërron Republikën tonë në një eksportues të sigurisë në konflikte të ndryshme globale”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër u.d. Presidentja Haxhiu e përgëzoi Gjeneral Jasharin për të arriturat e deritanishme të FSK-së dhe për rezultatet e treguara në sfera dhe aktivitete të ndryshme në të cilat FSK ka qenë pjesëmarrëse.

Në fund të takimit palët u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe nevojën e zhvillimit dhe avancimit të FSK-së në forcë moderne, profesionale në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

Të Ngjashme