Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zëvendësadjutantin e përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral brigade Charles H. Lampe.
Fillimisht, Jashari i uroi mirëseardhje gjeneralit Lampe, duke e përgëzuar për marrjen e detyrës së re si zëvendësadjutant i përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror (State Partnership Program), si dhe për mundësitë e avancimit të mëtejmë të këtij partneriteti.
Palët trajtuan mundësitë e zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe avancimit të kapaciteteve profesionale, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe ndërveprueshmërisë ndërmjet dy forcave.
Me këtë rast, gjeneral Jashari vlerësoi lart përkrahjen e vazhdueshme të Gardës Kombëtare të Ajovës për zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së.
Ai theksoi rëndësinë e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Ajovës, duke e cilësuar atë si një shembull të rëndësishëm të bashkëpunimit afatgjatë, besimit të ndërsjellë dhe përkushtimit të përbashkët për forcimin e kapaciteteve dhe ndërveprueshmërisë me partnerët amerikanë.
