Kur një kufomë politike arrin të shohë qartë fundin e tij, atëherë do të bëjë gjithçka, me shpresën e pashpresë, se do ta shmangë atë. Për herë të parë në 35 vjet, Edi Rama ka regjistruar në historinë tonë politike terrorin më të madh policor kundër të rinjve dhe fëmijëve shqiptarë. E nëse dhuna shtetërore është treguesi i parë i kapitullimit të sigurtë të një regjimi, tentativat për të çuar vendin në luftë civile përfundojnë me tërheqjen zvarrë të tij.
Përveç mercenarëve me uniformë, regjimi po përdor metoda të juntave më të egra, duke mobilizuar civilë të maskuar për të mbjellë terror, ushtruar dhunë si dhe për të bërë diversion mes protestuesve.
Banda e gangsterëve me maska në selinë e Partisë Socialiste, që ditën sillen si protestues dhe natën dalin për të goditur pas shpine të rinjtë, është tashmë një fakt i dokumentuar i përdorimit të civilëve, që nuk janë pjesë e trupës policore, për të ushtruar terror në emër të Edi Ramës. Se ata po përdoren nga kryeministri, për të shmangur kalljen e tij në varrezën politike të satrapëve, këtë e vërteton si mosveprimi i prokurorëve të Tiranës, ashtu edhe heshtja e turpshme e zhvatësve mediatikë që vegjetojnë nën këmbët e Ramës.
Në të gjithë propagandën e fundregjimit flitet për studentët që mbajnë maska, për agjentët e Iranit e flamurët e Vatikanit, por a keni parë dikë që të ngrejë alarmin se kur civilët maskohen e armatosen për të goditur qytetarët, a po shkon vendi në luftë civile për interesin e Ramës? Ky shqetësim, i vetmi që kërcënon sot me gjakderdhje, nuk përmendet sepse rrëzon totalisht arsyetimin mbi të cilin po ushtohet terrrori shtetëror.
Televizioni News24 transmetoi pamje të një tjetër bande civilësh të maskuar që dilnin nga ministria e Brendshme dhe më pas si hije të zeza depërtonin nëpër grupe protestuesish duke u shtirur si pjesë e tyre./boldnews.al
