Me propozimin e pakërkuar të kompanisë së tij ‘Albarent’ (transferuar bashkëshortes Elda Gonxhe), ministri i Turizmit po merr në administrim kompaninë shtetërore ‘MobAL’; të krijuar me Vendim nr. 554, të mbajtur të ngrirë 1 vit dhe të financuar me 22 milionë euro nga buxheti, në shkelje të ligjit. Ministrat Karakaçi, Malaj e Ibrahimaj e miratuan, ndonëse ligji për PPP-të e ndalon propozimin e pakërkuar që nga 2019.
Ndërkohë që protesta studentore për largimin e qeverisë ka marrë mbështetje popullore, kryeministri Edi Rama vazhdon aferat e grabitjes së fondeve, kapitaleve e licencave shtetërore.
Sipas informacionit të ardhur në “Pamfleti” nga burime brenda Ministrisë së Financave, rezulton se me bekimin e Edi Ramës kanë filluar procedurat që shoqëria “MobAL” të jepet me PPP.
Ndryshe nga PPP-të e tjera, ku qeveritarët kanë qenë të fshehur pas emrave privatësh në ortakëri e përfitime ilegale, për PPP-në e shoqërisë “MobAL” të transporteve shtetërore është ministri Blendi Gonxhe që ka dalë hapur për ta marrë si biznes privat.
Dokumentat janë bërë gati që këtë PPP të transporteve shtetërore Blendi Gonxhe ta marrë nëpërmjet kompanisë së tij “Albarent”, me objekt shërbime transporti, të cilën ia ka transferuar formalisht bashkëshortes Elda Gonxhe.
Dy javë më parë “Albarent” e Gonxhes, me marifetin e propozimit të pakërkuar, i ka paraqitur Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë projektin për të marrë me PPP kompaninë shtetërore “MobAL” me afat administrimi 30 vite.
Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, që ka në vartësi kompaninë “MobAL”, ka kërkuar dhe ka marrë miratim të menjëhershëm nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, që kanë juridiksion mbi financat dhe kapitalet shtetërore.
Së pari, kjo PPP është skemë e grabitjes së aktivitetit të kompanisë shtetërore nga ministri Blendi Gonxhe, pa paguar asnjë qindarkë në arkën e shtetit, dhe së dyti, procedura me propozim të pakërkuar është hequr nga ligji për PPP-të qysh në muajin prill 2019, por ministrat Karakaçi, Malaj e Ibrahimaj e kanë miratuar, sepse është një llokmë e majme për Blendi Gonxhen.
Në shtator 2026, vetëm 1 muaj para nisjes së procedurave të PPP-së, Ministri i Financave, Petrit Malaj, me urdhër të kryeministrit Edi Rama, i transferoi kompanisë shtetërore “MobAL” 22 milionë euro nga buxheti, për gjoja fillimin e aktivitetit publik.
Ky fond i është dhënë me urdhër transferte, në shkelje të hapur të ligjit për buxhetin e shtetit, i pashoqëruar me detajim objekti shpenzimesh konkrete, se për çfarë do të përdoren nga kjo shoqëri, për sa kohë dhe cili do të jetë produktiviteti i këtij fondi.
Prej datës 29 dhjetor 2025, kur u regjistrua në QKB, shoqëria “MobAL” nuk ka kryer aktivitet sipas objektit për të cilin u krijua, duke mbajtur të ngrirë kapitalin themelues 10 milionë lekë.
Ndërsa tani, rreth 1 vit pas krijimit dhe 1 muaj pas dhënies së 22 milionë eurove, shoqëria shtetërore “MobAL” është në proces për t’iu dhënë Blendi Gonxhes me PPP për 30 vite.

Nuk është rastësor fakti që iu kaluan 22 milionë euro në shkelje të ligjit; dhe as fakti që objekti i veprimtarisë së “MobAL” është i njëjtë me aktivitetin e kompanisë “Albarent” të ministrit Blendi Gonxhe, përputhje që krijon bindjen se është skemë krijimi PPP-je për të.
Madje, në tetor 2023, kur Blendi Gonxhe ishte Drejtor i Transportit, dhe në qershor 2025, kur ishte ministër i Ekonomisë, paraqiti në qeveri projektin e krijimit të një shoqërie shtetërore për shërbimin urban, transport udhëtarësh, mallrash, shërbim taksi dhe dhënien me koncesion.
Ndërsa kryeministri Edi Rama, me Vendim Nr. 554, datë 1 tetor 2025, bëri fakt skenarin e Blendi Gonxhes, duke krijuar shoqërinë “MobAL”, të cilën e la të ngrirë deri në muajin shtator 2026, kur i kaloi 22 milionë euro, dhe tani po ia kalon Gonxhes me PPP për 30 vite./Pamfleti
