Lajme

Kasami: Me VV-në e Albin Kurtit na lidh mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka deklaruar se ndryshimi politik në Kosovë dhe ardhja në pushtet e Lëvizjes Vetëvendosje me Albin Kurtin ka ndikuar drejtpërdrejt në krijimin e një balance politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në themelimin e koalicionit VLEN.

Kasami tha se për më shumë se dy dekada ka munguar rotacioni demokratik te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, për shkak të, siç u shpreh ai, “qeverisjes autoritare të BDI-së dhe Ali Ahmetit”.

“Me VV-në e Albin Kurtit na lidh mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sepse për 20 vite qeverisje autoritare të BDI-së dhe Ali Ahmetit gati se ishte e pamundur të ketë rotacion politik demokratik te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Kasami.

Ai theksoi se rotacioni politik në Kosovë solli për herë të parë përkrahje institucionale nga Prishtina për opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke krijuar, sipas tij, një balancë ndaj mbështetjes që i jepej BDI-së nga Tirana dhe më herët edhe nga Prishtina.

Kasami shtoi se përkrahja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj partive opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka lehtësuar krijimin e koalicionit VLEN, i cili tashmë po funksionon si subjekt i përbashkët politik.

Të Ngjashme