Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço thotë se shpërthimi i fuqishëm në pallatin në Elbasan, nuk është shkaktuar nga lëndë eksplozive.
Në një intervistë televizive, Karamuço u shpreh se dyshohet se personi i cili mbeti i humbur nën rrënoja, përpara disa kohësh, ka kryer instalim në katin e parë të pallatit, një bombol e cila ka qenë 100 litrorshe për gaz të lëngshëm.
Karamuço nënvizoi se përmes një tubacioni, ai bënte furnizim për banesën e tij dhe dyshohet që shpërthimi mund të ketë ardhur si pasojë e rrjedhjeve në tuba.“Fillimisht është dyshuar për eksploziv. Pastaj ka pasur një grup që u ngrit nga drejtoria e Policisë së Shtetit, dhe u përjashtua që ky shpërthim të ketë ndodhur si pasojë e lëndëve eksplozive. Ende nuk është gjetur vatra ku është shpërthyer bombola. Ajo që dyshohet deri tani, nga ana e hetuesve dhe ekspertëve, është që personi i cili rezulton ende i humbur, dyshohet që përpara disa kohësh, ka bërë instalim në katin e parë të pallatit, një bombol e cila ka qenë 100 litrorshe për gaz të lëngshëm.
Ka modifikuar me anë të një tubacioni, bënte furnizim për banesën e tij. Dyshohet që shpërthimi mund të ketë ardhur si pasojë e rrjedhjeve në tuba. Kjo do jetë e zbardhur në mënyrë shkencore dhe të plotë. Ka të dhëna deri tani që ky është shkaku i vërtetë. Pallati është i pabanueshëm”, theksoi ai.
