Lajme

Kasapolli për komisionin hetimor për rastin e Arlinda Zekajt: Kur s’don me kry punë, bën mbledhje ose komisione

Ish-ambasadori, Gëzim Kasapolli, ka kritikuar formimin e komisioneve hetimore, duke vlerësuar se ato nuk janë zgjidhje për problemet shoqërore nëse rezultatet e tyre nuk gjejnë zbatim në praktikë.

Duke folur në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Kasapolli është deklaruar lidhur me komisionin hetimor parlamentar të formuar për rastin e Arlinda Zekajt, duke thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë mungesë të legjislacionit, por problem me zbatimin e tij.

Ai ka rikujtuar një shprehje që, sipas tij, përdorej gjatë kohës kur ishte pjesë e institucioneve, përmes së cilës ka shprehur skepticizmin e tij ndaj efektit të komisioneve.

“Unë kur isha pjesë e institucioneve, ka ekzistuar një shprehje: kur s’don me kry punë, bën mbledhje ose komisione. Do të thotë, jemi të ngopur me këto komisione apo edhe me rezoluta, të cilat në fakt nuk po gjejnë zbatim”, ka deklaruar Kasapolli.

Ai ka theksuar se, sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e ligjeve apo e mekanizmave institucionalë, por te moszbatimi i tyre dhe mungesa e një qasjeje më efikase në trajtimin e rasteve të tilla.

“Unë nuk shoh asnjë mangësi brenda legjislacionit tonë në raport me trajtimin e këtyre çështjeve. Kemi problem me zbatim, nuk kemi problem me legjislacion, nuk kemi problem me grupet të cilat duhet të krijohen. Po flasim për një problem shoqëror, i cili duhet të trajtohet me elemente dhe me mjete institucionale”, është shprehur ai.

Kasapolli ka vlerësuar se, në rastet kur vendi përballet me numër të madh të rasteve të dhunës, duhet të krijohen mekanizma të specializuar brenda Policisë, gjyqësorit dhe Prokurorisë, në mënyrë që këto raste të trajtohen me prioritet dhe profesionalizëm.

“Nëse ke një problem të tillë, ku ke 2 mijë raste të dhunës brenda vitit, atëherë duhet të krijohet një mekanizëm brenda Policisë, brenda gjyqësorit dhe Prokurorisë, që të trajtohen në mënyrë të prerë. Këto çështje mund të bëjnë komisione gjithë ditën, por nuk besoj që do të ketë efekt, nuk do të ketë impakt”, ka thënë Kasapolli.

Ai ka përmendur edhe rastet e tjera të dhunës që, sipas tij, vazhdojnë të ndodhin në vend, duke theksuar se nevojitet një strukturë më e specializuar për trajtimin e kësaj problematike.

“Për çdo ditë po shohim shumë raste të tilla. Edhe rastin e sotëm me drejtorin e mirëqenies. Për mua, kemi nevojë për mirëmbajtje të legjislacionit dhe për këtë arsye duhet të krijohet një strukturë, një sistem më i specializuar, i cili e sheh këtë problematikë të thellë shoqërore”, ka deklaruar Kasapolli.

Në fund, Kasapolli ka lënë të kuptohet se formimi i komisioneve hetimore, pa masa konkrete dhe pa zbatim të rekomandimeve, rrezikon të mbetet vetëm një veprim formal, pa ndikim të drejtpërdrejtë në parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës.

Të Ngjashme