Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shefen e re të Misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në Kosovë, Marian Benbow Pfisterer, me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit, migrimin dhe mundësitë e punësimit të grave.
Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se përfaqësuesja e IOM-it ka përcjellë urimet e organizatës për formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Gjatë takimit, sipas Kurtit, është vlerësuar bashkëpunimi i deritanishëm dhe është shprehur gatishmëria për ta zgjeruar atë në fusha me interes të përbashkët.
Kreu i Qeverisë theksoi rëndësinë e migrimit për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për forcimin e lidhjeve me diasporën.
Ai vlerësoi gjithashtu partneritetin me IOM-in në koordinimin e përpjekjeve me vendet e origjinës, tranzitit dhe destinacionit, me synimin për mbrojtjen e të drejtave të migrantëve dhe shfrytëzimin e njohurive e përvojës së tyre në funksion të zhvillimit të vendit.
Një ndër temat e tjera të diskutimit ishte edhe barazia gjinore, veçanërisht integrimi i grave në tregun e punës.
Në këtë drejtim, Kurti bëri të ditur se e ka informuar shefen e re të IOM-it për lansimin e planifikuar të programit “Super Puna për Gratë”, përmes të cilit synohet të ofrohet mbështetje financiare për punësimin e grave në sektorin privat në Kosovë.
Në fund, kryeministri e përgëzoi Marian Benbow Pfisterer për marrjen e detyrës dhe falënderoi IOM-in për partneritetin me institucionet e Kosovës.
