Lajme

​KEK: Në qershor tejkaluam kërkesën, siguruam 108.2% të nevojave për energji

Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë qershor ka siguruar kapacitete prodhuese që tejkalojnë kërkesën për konsum të rregulluar, duke arritur të ofrojë 108.2 për qind të nevojave për energji elektrike.

Sipas një njoftimi që KEK bëri të premten, gjatë qershorit janë vënë në dispozicion 305,916 megavat-orë energji elektrike, ndërsa kërkesa për konsum ka qenë 282,608. Kjo, sipas korporatës që prodhon rrymë, nënkupton se kapacitetet e ofruara kanë tejkaluar kërkesën për 8.2 për qind.

KEK ka shtuar se pas rikthimit në operim të njësive prodhuese, gjatë pjesës më të madhe të muajit ka arritur të ofrojë mbi 120 për qind të kërkesës ditore për konsum, duke dëshmuar stabilitet operacional dhe besueshmëri të kapaciteteve gjeneruese.

Ky rezultat u tha se është arritur në një periudhë kur korporata po zbaton programin më të madh të investimeve dhe modernizimit në historinë e saj, që përfshin rehabilitimin e njësive gjeneruese pas më shumë se katër dekadash operim, si dhe zhvillimin e projekteve strategjike në fushën e energjisë së ripërtëritshme.

KEK vlerëson se këto rezultate konfirmojnë rolin e saj kyç në garantimin e sigurisë energjetike të Republikës të Kosovës.

Të Ngjashme