Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, tha se subjekti i tij politik pret të arrijë rezultat të ngjashëm me zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Në këto zgjedhje natyrisht se presim një rezultat të njëjtë me atë para tre muajve, sepse nuk ishte shumë kohë prej që kur u mbajtën zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë”, tha Kërçeli.
Ai vlerësoi se periudha e shkurtër kohore nga zgjedhjet e fundit dhe qeverisja katërvjeçare e LVV-së janë faktorë që ndikojnë në pritjet e tyre elektorale.
“Si Lëvizje Vetëvendosje presim që rezultati të jetë i njëjtë sepse nuk ka shumë kohë prej kur u mbajtën zgjedhjet dhe sidomos kur e kemi parasysh se Lëvizja Vetëvendosje qeverisi për katër vite dhe pas këtyre katër viteve korri një rezultat edhe më të mirë se ai paraprak”, deklaroi ai.
Duke folur për klimën politike para nisjes zyrtare të fushatës, Kërçeli tha se polarizimi politik nuk është i dobishëm për demokracinë.
“Mendoj që polarizimi gjatë fushatës nuk është i shëndetshëm për demokracinë, e sidomos për Republikën e Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, gara zgjedhore duhet të fokusohet në programe dhe ide konkrete. “Fushata duhet të bazohet më shumë në argumente, ide dhe program se çfarë do të ndodhë në vitet e ardhshme dhe çfarë do t’iu ofrojnë qytetarëve”, u shpreh Kërçeli.
Ai shtoi se pret një “fushatë të matur, një fushatë të pastër, një fushatë të mirë”, ku, sipas tij, duhet të mbizotërojnë programet dhe idetë politike.
