Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një personi me inicialet M.B., i dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari është arrestuar nën dyshimin se gjatë vitit 2023, në cilësinë e personit zyrtar përgjegjës për arkivin në Depon e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës, ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka përmbushur detyrat zyrtare në verifikimin e autenticitetit të dokumentacionit arkivor.
Ai dyshohet se ka ndihmuar një person tjetër, me inicialet N.J., i cili aktualisht gjendet në arrati, në përdorimin e dokumenteve publike të falsifikuara, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të të drejtave pronësore.
Sipas Prokurorisë, përmes këtyre veprimeve dyshohet se prona publike është kaluar në mënyrë të kundërligjshme në emër dhe posedim të personit N.J.
Në kuadër të hetimeve, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalimin e përkohshëm të 48 parcelave pronësore, vlera e përgjithshme e të cilave dyshohet të arrijë në miliona euro.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë angazhimin në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit.
Masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit është kërkuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
