Lajme

​KFOR-i për ushtrimin me Polici, EULEX, AME dhe FSK: Testoi kapacitetet në menaxhimin e krizave

KFOR-i dha detaje rreth ushtrimit të përbashkët të realizuar me EULEX-in, Policinë e Kosovës, Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, të njohur si ‘’Shpata e Artë 2026’’.

KFOR-i theksoi se në ushtrim ka marrë pjesë edhe personeli i FSK-së dhe se stërvitja ka testuar zbatimin e kapaciteteve, aftësive dhe procedurave për menaxhimin e krizave në një sërë skenarësh kompleksë të sigurisë, përfshirë ata që lidhen me trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të mjeteve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme.

Postimi:

Më 2 dhe 3 korrik 2026, personeli i misionit të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë (KFOR), Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Policisë së Kosovës (PK) dhe Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) zhvilluan aktivitete të përbashkëta stërvitore në kuadër të ushtrimit “Shpata e Artë2026″.

Ushtrimi u mbajt në zonën stërvitore të Kampit Vrelo, në Prishtinë. Ai testoi zbatimin e kapaciteteve, aftësive dhe procedurave për menaxhimin e krizave në një sërë skenarësh kompleksë të sigurisë, përfshirë ata që lidhen me trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të mjeteve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme.

Në ushtrim mori pjesë edhe personeli i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e saj fillestar për mbrojtje civile.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

Të Ngjashme