Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kica-Xhelili për zjarrin në IML: E frikshme, ngrit dyshime të një përfshirjeje tejet të rrezikshme të pushtetit

 
   

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Daorsa Kica- Xhelili ka reaguar pas zjarrit që ka rënë sot në orët e hershme në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Me anë të një reagimi në Facebook-un e saj deputetja shkruan se kjo ndodhi një ditë pas dhënies së dëshmisë së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në rastin e Astrit Deharit.

Për zhdukjen e monstarve të Deharit dhe zjarrin e sotëm, Kica-Xhelili thotë se ndodhën brenda mandatit të kësaj Qeveria.

“Një ditë pas dhënies së dëshmisë së Ministres Haxhiu në Prokurori lidhur me rastin e të ndjerit Astrit Dehari, digjet Instituti i Mjekësisë Ligjore ku qëndrojnë (apo qëndronin) dëshmitë e këtij rasti. Dhe kjo: Pasi që ato dëshmi u vodhën e u kthyen, brenda mandatit të kësaj qeverie. Pasi që pas shumë vitesh që Haxhiu pretendonte se kush janë fajtorët, tani del si njeriu më i papërgjegjshëm i fjalës publike e pozitës së saj e deklaron se “Po ta dija kush, do ta thoja para shumë vitesh”. Tash iu kujtua, domethënë, që nuk e di? Çka ndodhi Ministre? Amnezi”, shkruan ajo.

Sipas saj kjo është e frikshme, pasi ngrit dyshime të një përfshirjeje tejet të rrezikshme të pushtetit në këtë rast.

Tutje ajo shkruan se kjo që ndodhi është një katastrofë, duke shtuar se nuk ka asgjë më skandaloze se një keqmenaxhim të tillë.

“Kjo është e frikshme. Kjo ngrit dyshime e frikë të një përfshirjeje tejet të rrezikshme të pushtetit në këtë rast. Kjo që ndodhi është thënë më së buti katastrofë. Nuk di e nuk mund të kujtoj asgjë më skandaloze se një keqmenaxhim të tillë të Institutit që rikujtojmë: operon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe operon me ushtrues detyre qe sa kohë”, shkruan deputetja.

Kica-Xhelili shton se ky alarm nuk guxon të ndalet, dhe se kjo nuk është Kosovë e demokracisë.

“Ky alarm nuk guxon të ndalet. Kjo nuk është Kosovë e demokracisë e sigurisë. Kjo Kosovë ndjell pasiguri të skajshme”, përfundoi ajo.