Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në pritjen shtetërore të organizuar nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka vlerësuar rëndësinë historike të 28 Nëntorit, duke e cilësuar atë si simbol të lirisë, dinjitetit dhe identitetit kombëtar.
Ai ka uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Flamurit.
“Me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, sonte mora pjesë në pritjen shtetërore me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
28 Nëntori përfaqëson një nga momentet më të lavdishme të historisë sonë, simbolin e lirisë, dinjitetit dhe identitetit kombëtar, që mbetet frymëzim ndër breza.
Gëzuar Ditën e Flamurit!”, shkruan ai në Facebook.
