Deklarimi i kompozitorit Adi Hila se kamerat në studion e tij ishin vendosur për arsye sigurie, pas incidenteve të mëparshme, është vënë në pikëpyetje nga eksperti i sigurisë Fatjon Softa.
Hila ka deklaruar para oficerëve të policisë se kamerat i kishte vendosur për të mbrojtur studion, ndërsa ka pretenduar se pamjet intime që kanë qarkulluar në rrjet mund të jenë marrë pas një ndërhyrjeje në sistem. Sipas tij, kamerat ishin vendosur pasi në studio kishte pasur incidente.
Por pikërisht mënyra se si ishte pozicionuar një prej kamerave është detaji ku ndalet eksperti Fatjon Softa. Duke folur në “News24 Fundjavë”, ai bëri dallimin mes një kamere sigurie dhe një kamere të vendosur për qëllime të tjera, duke vënë në dukje se kamera në këtë rast ishte e orientuar drejt krevatit dhe jo drejt një zone që zakonisht do të kërkonte mbikëqyrje për sigurinë e pronës.
“Kamerat e sigurisë duhet të ndahen nga kamerat e fshehta. Këto të fundit vendosen për të mbledhur informacione në mënyrë të paligjshme. Në rastin e Adi Hilës, kamera ishte e orientuar drejt krevatit, jo drejt kasafortës, çka ngre dyshime mbi qëllimin e saj”, tha ai.
Sipas Softës, vetëm fakti që nga kjo kamerë janë siguruar pamje intime nuk mjafton për të përcaktuar se përse ishte vendosur pajisja, por orientimi i saj ngre pikëpyetje që duhen sqaruar nga hetimi.
“Fakti që kemi pamje filmike që kanë intimitet, tregon se qëllimi i vendosjes së kamerave ishte i ndryshëm nga ai i sigurisë”, shtoi ai.
Eksperti foli edhe për skenarin e hakerimit. Nëse pamjet janë marrë nga një sistem kamerash, sipas tij duhet të përcaktohet mënyra se si është aksesuar sistemi dhe nëse dikush ka ndërhyrë në të. Pamjet e kamerave zakonisht ruhen në një sistem arkivimi, ndaj hetimi duhet të verifikojë se ku janë ruajtur dhe si kanë dalë prej tij.
