Aktuale

Plagosen 2 policë në Itali, autoritetet bëjnë përgjegjës dy emigrantë shqiptarë. Njëri kapet, tjetri zhduket

Një shtetas shqiptar është arrestuar gjatë natës në Rieti të Italisë, pasi u kap brenda një apartamenti ku dyshohet se kishte hyrë për të vjedhur së bashku me një person tjetër.

Operacioni nisi pas telefonatave të disa qytetarëve dhe kalimtarëve, të cilët kishin vënë re persona të dyshimtë pranë një banese në zonën Regina Pacis–Molino della Salce dhe njoftuan numrin e emergjencës 112, citon noa.al një raport të portalit lokal, Rietinvetrina.

Karabinierët mbërritën me shpejtësi dhe konstatuan se dera e apartamentit ishte hapur me mjete thyerjeje. Brenda banesës ata u përballën me dy burra.

Sipas autoriteteve italiane, sapo panë uniformat, të dy tentuan të largoheshin duke shtyrë me forcë efektivët për të hapur rrugën e arratisjes.

Njëri prej tyre, shtetas shqiptar, u neutralizua dhe u vendos në pranga. Personi tjetër arriti të largohej dhe vijon të kërkohet nga policia.

Gjatë përplasjes fizike, dy karabinierë mbetën të dëmtuar dhe më pas morën trajtim në spitalin e Rietit.

Shqiptari është arrestuar nën dyshimet për tentativë vjedhjeje në banesë dhe rezistencë ndaj një zyrtari publik. Çështja ndodhet ende në fazën e hetimeve paraprake. /noa.al

Të Ngjashme