Lajme

Kjo është partia më e re në Kosovë, e konfirmon KQZ-ja – ja kush e udhëheq

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e 35-të për këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, ku në fokus të vendimeve ishte regjistrimi i një partie të re politike dhe çështje të tjera administrative.

Në fillim të mbledhjes, KQZ mori vendim për regjistrimin e iniciativës qytetare “Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale” (PQMS), e cila pas përmbushjes së të gjitha kërkesave ligjore do të bëhet pjesë e regjistrit zyrtar të partive politike në Republikën e Kosovës, me numrin rendor 53.

Sipas njoftimit, më 17 mars 2026, iniciativa qytetare e udhëhequr nga Sali Salihu kishte dorëzuar aplikacionin për regjistrim, duke bashkangjitur dokumentacionin e kërkuar në përputhje me Rregulloren nr. 01/2024 për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike.

Pas pranimit të aplikimit, Zyra përkatëse ka verifikuar dokumentet e dorëzuara, përfshirë statutin, programin, aktin e themelimit, simbolin, raportin financiar, listën e nënshkrimeve të mbështetësve dhe dëshminë e pagesës së taksës së regjistrimit në vlerë prej 500 eurosh. Pas shqyrtimit fillestar, iniciativës i janë dërguar komentet për plotësim dhe ndryshime, për të cilat është caktuar afat prej pesë ditësh.

Para përfundimit të afatit, iniciativa ka dorëzuar ndryshimet e kërkuara dhe dokumentacionin e përditësuar. Më pas, Zyra ka kryer verifikimin përfundimtar dhe ka hapur periudhën e shqyrtimit publik nga 1 deri më 7 prill 2026. Gjatë kësaj periudhe nuk është pranuar asnjë ankesë lidhur me aplikimin.

Pas përmbylljes së të gjitha procedurave, KQZ ka vendosur regjistrimin e PQMS si parti politike.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim edhe për emërimin e komisionit të pranimit për pozitën e Drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, si pjesë e procedurave të rregullta institucionale.

Të Ngjashme