Lajme

Koci: Serbia synon konferencë ndërkombëtare ku përfshihet edhe Rusia, në fokus edhe çështja e Kosovës

Opinionisti Melazim Koci, ka paralajmëruar për zhvillime të mundshme gjeopolitike që, sipas tij, mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rajon dhe në çështjen e Kosovës, pas blerjes së armatimit, të cilin po e proklamon Serbia.

Koci, theksoi se udhëheqja serbe, në krye me Alleksandar Vuçiq, po llogarit në dobësimin e aleancave perëndimore dhe në fuqizimin e Rusisë në skenën globale, për të krijuar një terren më të favorshëm për realizimin e synimeve serbe në rajon, përfshirë Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.

“Në planin afatgjatë mendoj se ka rreziqe. Aleksandër Vuçiq dhe udhëheqja në Serbi po projektojnë një rend tjetër, një radhitje tjetër të forcave në arenën ndërkombëtare. Presin fuqizim të Rusisë, presin përçarje të Aleancës Veri-atlantike, thellim të mos pajtimeve Bruksel e Uashington. Të gjitha këto janë në favorin e synimeve të tyre sepse një Aleancë Veri-atlantike e përçarë për Serbinë do të ishte më lehtë të jetësohej synimet e veta në Bosnje e Hercegovinë e Kosovë”, tha Koci.

Ai shtoi se Serbia po pret organizimin e një konference të madhe ndërkombëtare, ku në tryezë do të ishte e barabartë edhe Rusia, e ku sipas tij, do të përfshihej edhe çështja e Kosovës.

“Armatimi aktual është në funksion të një plani pak më të largët, presin ndryshim. Presin një konferencë të madhe ndërkombëtare ku e barabartë do të ishte e ulur Rusia dhe në vargun e krizave nëpër botë, në atë konferencë të futet çështja e Kosovës. Ka informacione nga burime kredibile se e presin këtë konferencë ndërkombëtare ku ata pastaj të mbështetur nga Rusia, pasi për momentin çështja e Kosovës është në dorën e euro perëndimorëve, e amerikanëve, por në një konferencë të tillë eventuale, ku do ishte Rusia e Kina, pozicioni i tyre do të ishte krejt ndryshe, shumë më i favorshëm fatkeqësisht”, deklaroi më tej Koci në Rubikon. 

Të Ngjashme