Lajme

Komiteti Ushtarak i NATO-s viziton KFOR-in

Komiteti Ushtarak i NATO-s (MC), i kryesuar nga Admirali Giuseppe Cavo Dragone, vizitoi Forcën e Kosovës të udhëhequr nga NATO, KFOR.

NATO njofton se vizita në Kampin Film City në Prishtinë u fokusua në kontributin e vazhdueshëm të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

“Gjatë prezantimit hyrës, Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Ozkan Ulutas, theksoi përpjekjet e qëndrueshme dhe efektive të NATO-s si dhe kontributin ushtarak në sigurinë në Kosovë, përfshirë edhe garantimin e lirisë së lëvizjes”, thuhet në komunikatën e NATO-s.

Në kuadër të takimeve, Komiteti Ushtarak u informua edhe nga përfaqësues të EULEX, OSBE-së dhe UNMIK-ut.

KFOR-i operon në bazë të Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe, si i tillë, është një operacion për zbatimin e paqes. Ai përbëhet nga rreth 4,600 trupa të ofruara nga 31 vende aleate dhe partnere.

Misioni i tyre është të kontribuojnë në ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe të garantojnë lirinë e lëvizjes, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, sipas roleve të tyre si përgjegjës për sigurinë. KFOR-i gjithashtu mbështet zhvillimin e strukturave profesionale, demokratike dhe shumetnike të sigurisë në Kosovë.

Të Ngjashme